Një “El clasico” e veçantë

TIRANE, 6 Maj/ATSH/- Sonte në mbrëmje, në orën 20:45, dashamirësit e futbollit do të kenë mundësinë të përjetojnë një mbrëmje të zjarrtë futbolli: luhet supersfida “El clasico” “Barcelona”-“Real Madrid”.

Dy skuadrat më të mira të futbollit spanjoll e jo vetëm, do të përballen sonte duke pasur objektiva të kundërta. Barcelona, pasi është shpallur zyrtarisht kampione e “La liga-s” për të 25 herë, kërkon ta mbyllë pa humbje këtë kampionat e për këtë i duhet të kalojë rivalët e përjetshëm, “Realin e Madridit”.

Nga ana tjetër, ky i fundit vjen në këtë klasike pas kualifikimit për të tretën herë radhazi në finalen e “Champios league”, duke synuar trofeun e 13 në këtë kompeticion. Kështu që “Los blancos” janë mëse të motivuar për t’i shkaktuar humbje Barcelonës së Ernesto Valverdes.

“El clasico” e sotme do të jetë e fundit për kapitenin e Barcelonës, Andres Iniesta. Mbetet për t’u parë se çfarë do të bëjë sonte mesfushori i talentuar spanjoll, në përballjen e fundit me madrilenët.

Të mos harrojmë se sonte përballen dy futbollistët më të mirë të viteve të fundit në futboll, Lionel Messi e Cristiano Ronaldo, me prezencën e të cilëve në fushë çdo gjë bëhet e paparashikueshme.

Me nga 5 “Topa të artë” secili dhe në “luftë” për të gjashtin, çdo sportdashës sot ndjehet krenar që jeton në epokën e tyre futbollistike.

Një gjë dihet me siguri, spektakli është i garantuar. /r.e/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.