Ballina Ekonomi

Punësimi kërkon politika të reja

Punësimi kërkon politika të reja

Punësimi kërkon politika të rejahttps://ata.gov.al/2018/05/06/punesimi-kerkon-politika-te-reja/Si mazhoranca, edhe opozita ngrenë zërin për domosdoshmërinë e hartimit të politikave që çojnë në punësim. Në një prononcim për ATSH, deputetët Angjeli, Tabaku dhe Kushi evidentojnë strategjinë që duhet ndjekur për rritjen e punësimit.

Posted by Agjencia Telegrafike Shqiptare on 06.05.2018

TIRANË, 6 maj/ATSH/ – Qeveria ka vendosur si prioritetin kryesor të saj gjatë këtij mandati, hapjen e sa më shumë vendeve të reja të punës, përmes së cilave rritet mirëqënia e qytetarëve.

Si mazhoranca, edhe opozita ngrenë zërin për domosdoshmërinë e hartimit të politikave që çojnë në punësim.

Deputeti i Partisë Socialiste, Anastas Angjeli duke u shprehur për ATSH-në deklaroi se me iniciativën e Kryeministrit janë ngritur dy grupe pune me deputetë, të cilët do të hartojnë sugjerime për Programin Kombëtar të Punësimit.

Sipas tij, është bërë një analizë e situatës ekonomike dhe e punësimit në vend gjatë periudhës të tranzicionit duke nxjerrë disa konkluzione.

“Në këtë periudhë të gjatë 27-vjeçare, pavarësisht nga uljet e ngritjet, ekonomia shqiptare edhe pse ka pasur rritje, kjo rritje nuk është reflektuar tek punësimi. Ka ndryshuar struktura e tregut të punës. Ndryshimet kanë ndodhur në strukturën e ekonomisë së vendit, jo vetëm e tregut të punës, por edhe vetë degëve të ekonomisë”, – thotë Angjeli.

Për Angjelin, baza themelore e furnizimit ose hapjes së vendeve të reja të punës është sektori privat dhe del e nevojshme të ndiqen disa politika të reja.

Deputetja e Partisë Demokratike, nënkryetare e Komisionit të Ekonomisë, Jorida Tabaku, në një intervistë për ATSH-në thotë se një ndër problematikat kryesore që ka prekur ekonominë shqiptare është edhe papunësia, veçanërisht te të rinjtë dhe gratë.

Tabaku, shprehet se për shkak të mos pasjes së një vendi pune, një në tre të rinj është i papunë dhe kërkon të largohet nga Shqipëria. Nga ana tjetër, shton ajo, punësimi është edhe premtimi më i parealizuar që qeveria ka pasur në 2013 dhe që ka dështuar plotësisht.

“Në fakt është çudi që pas 5 vitesh një grup deputetësh kujtohen për ta pasur punësimin prioritet. Punësimi duhet të ishte pjesë integrale e çdo politike që qeveria ka ndërmarrë gjatë këtyre 5 viteve”, – theksoi Tabaku.

Për deputeten Tabaku, çdo politikë fiskale, duke pasur parasysh rritjen e taksave që qeveria ka marrë nga viti 2013 e këtej, ka prodhuar papunësi të jashtëzakonshme.

“Bizneset janë detyruar që të ulin qepenat, të reduktojnë numrin e vendeve të punës dhe të heqin dorë nga fitimi. Këto janë elementët që kanë si shkak rritjen e taksave dhe pasoja është rritja e papunësisë”, – deklaroi deputetja demokrate.

Për deputeten e Partisë Socialiste, Evis Kushi, ritmet e rritjes ekonomike të vendit nuk u shoqëruan me të njëjtin nivel edhe te punësimi, ndaj thotë ajo del i nevojshëm evidentimi i sektorëve që gjenerojnë punësim.

Kushi në një intervistë për ATSH-në deklaroi se qëllimi është që ne të gjejmë disa mekanizma politikë, ekonomikë a socialë për të gjeneruar vende të reja pune.

“Që në vitin 2013 kur Partia Socialiste erdhi në qeverisje, një nga prioritetet tona ka qenë punësimi. Pavarësisht se në këto katër vite qeverisjeje të mandatit të parë, patëm rezultate pozitive, ku u pa rritje e numrit të vendeve të punës dhe formalizim i shumë të tjerave, akoma papunësia është problem dhe ende mbetet prioritet punësimi”, – shprehet Kushi.

Por, shton ajo, po të krahasojmë ritmet e rritjes së punësimit me ritmet e rritjes ekonomike ka një disbalancë, që do të thotë se rritja ekonomike ka ardhur në rritje nga rreth 1% në vitin 2013, shkoi në 3.8% në fund të vitit 2017, ndërsa punësimi nuk e ka reflektuar këtë ritëm rritjeje me këtë intensitet.

Ndaj, vijoi Kushi, edhe Kryeministri ka ndërmarrë iniciativën që përveç punës që bëjnë grupet qeveritare dhe grupet në administratë, të ngrejë një grup me deputetë të mbështetur nga ekspertë të fushës dhe akademikë, për të përgatitur këtë dokument që do t’i vijë në ndihmë qeverisë për të hartuar strategjinë e punësimit 2018-2021. /a.gjonaj//r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakZonat e mbrojtura në Shqipëri, destinacion tërheqës për turistët e huaj
Artikulli tjetërFOTO/ Gazetarja e Rai 3 për ATSH: Shqipëria surpriza që ofron gjithçka