Zonat e mbrojtura në Shqipëri, destinacion tërheqës për turistët e huaj

211

TIRANË, 6 maj/ATSH/- Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura mori pjesë për të dytën herë në Panairin Ndërkombëtar të Turizmit Natyror dhe Vëzhgimin e Zogjve (birdwatching fair) në Comacchio, Itali.

Kjo pjesëmarrje u sigurua me mbështetjen e Projektit NaturAL, i financuar nga Bashkimi Europian si një mundësi e mirë për promovimin e zonave të mbrojtura në Shqipëri si destinacione turistike të qëndrueshme.

Panairi Ndërkombëtar i Birdwatching dhe Natyrës në Comacchio, Itali, në Parkun e Deltës së Lumit Po në Emiglia Romagna, është një event i rëndësishëm për të gjithë ata që dashurojnë natyrën, fotografinë dhe “slow tourism”.

Të gjitha aktivitetet pjesë e këtij panairi u organizuan nga DELTA 2000 me mbështetjen e LIPU (Shoqata italiane për mbrojtjen e shpendëve). Ai ju ofroi mundësi stafit të Agjencisë dhe kompanive turistike që ofrojnë aktivitete bazuar në natyrë të shkëmbejnë informacione dhe të provojnë pajisjet optike më të përditësuara, si dhe të zbulojnë oferta të reja mbi destinacionet ndërkombëtare turistike natyrore.

Vizitorët u gjenden në zemër të Parkut të deltës së lumit Po, ku mundën të zbulojnë trashëgiminë natyrore të paçmueshme, nëpërmjet ecjes, vozitjes, shëtitjes më biçikletë dhe aktiviteteve të tjera të cilat u zhvilluan në zonën e ekspozitës.

Gjatë 4 ditëve të panairit, stenda e AKZM-së u vizitua nga mbi 1 000 vizitorë. Punonjësit e AKZM-së dhe të Administratave rajonale ju prezantuan vizitorëve, Zonat e Mbrojtura të Shqipërisë dhe veçoritë specifike të tyre. Vizitorët italianë, qytetarë të thjeshtë, por dhe ekspertë të kësaj fushe, të turizmit natyror, biologë, apo fotografë të natyrës shprehën shumë interes për të vizituar Shqipërinë, një vend ende i panjohur, përsa i përket vlerave natyrore që mbart.

Nuk munguan vizita dhe nga institucionet homologe, si Rangers të zonave të mbrojtura të Rajonit Emilio Romanio, të cilit i përkiste dhe Comachio, Policisë Pyjore, pjesë e Karabinerisë italiane, apo përfaqësues të organizmave të ndryshme në Itali, të cilët vendosën lidhje me ekspertët shqiptarë të zonave të mbrojtura.

Pas mbylljes së panairit specialistët e AdZM-ve u përfshinë dhe në Vizitën Studimore në Comacchio dhe Foci dell’Isonzo. Tema e vëzhgimit të shpendëve për qëllime turistike u bazua kryesisht në praktikat më të mira italiane në këtë fushë (si Isonzo Delta Park). Pjesëmarrja e stafit të AdZM-ve, pikërisht të zonave të mbrojtura të rëndësishme për popullsinë e shpendëve, ka për qëllim që ata të mësojnë nga shembujt e vendeve të tjera, ku zhvillohet biznesi i madh i turizmit natyror si dhe ky staf të tregojë mbi potencialin e turizmit të qëndrueshëm natyror në Shqipëri.

Disa nga aktivitetet e organizuara gjatë panairit ishin: workshop mbi fotografinë, konkurset fotografike dhe dokumentarët mjedisorë, leksione mbi birdwatching, guida turistike në destinacionet më tërheqëse te parkut të deltës së lumit Po.

Turizmi në Shqipëri është një sektor i ri dhe në rritje të shpejtë, i shpallur nga qeveria shqiptare si një ndër prioritetet për ekonominë e vendit. Shqipëria është e orientuar drejt zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm duke synuar diversifikimin e ofertave të turizmit, përfshirë turizmin me natyrë, zhvillimin e potencialeve për zonat e mbrojtura dhe reduktimin e varësisë nga sezoni veror dhe zonat bregdetare.

Zonat natyrore dhe rurale në Shqipëri ofrojnë mundësi për zhvillimin e turizmit rural, malor, eko turizmit dhe agro turizmit, si dhe për aktivitete të ndryshme në natyrë si vëzhgimi i shpendëve, shikimi i kafshëve, rafting, hedhje me parashutë, mountain biking, peshkim, ngjitje në mal, hipizëm etj. Disa nga këto aktivitete janë motivi kryesor i ardhjes së vizitorëve të huaj në zonat e mbrojtura.

Të një rëndësie të veçantë në këtë vizitë studimore janë edhe përfitimet që komunitetet lokale të cilët jetojnë në dhe përreth zonave të mbrojtura, marrin nga të ardhurat që rrjedhin nga turizmi natyror./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.