Ballina Lajme nga Vendi

Shërbime shëndetësore falas dhe me cilësi

TIRANË, 3 maj/ATSH-Maela Marini/ – “Qytetarët shqiptarë po marrin sot shërbime shëndetësore falas dhe me një cilësi më të mirë”.

Kështu deklaroi të enjten në Kuvend, Kryeministri Edi Rama, duke sjellë në vëmendje gjendjen në të cilën ndodhej ky sektor kur dikasteri drejtohej nga ish-ministri i Shëndetësisë, deputeti i LSI-së, Petrit Vasili.

“Në kohën e tij operacionet bëheshin me pajisje të pa sterilizuara dhe me një numër marramendës të infeksioneve post operatore. Sot shifrat flasin qartë. Është një koncesion por ne nuk i themi qytetarit: shikoni se kemi sjellë instrumenta të reja dhe duhet të paguash”, tha Rama.

Sipas tij, “qytetarët shërbimin e marrin falas dhe për këtë paguan shteti dhe shoqëria”.

Rama solli në vëmendje shërbimin që ofrohet për pacientët me dializë, të cilët sot mund ta marrin shërbimin pranë vendbanimeve të tyre.

“Më parë këta pacientë i linin rrugëve me tre turne, tre herë në javë, për të ardhur në Tiranë dhe e bënin dializën te një privat. Sot e marrin këtë shërbim në kushte krejtësisht të tjera dhe në zonën afër qendrës së tyre të banimit”, tha Kryeministri.

Kreu i qeverisë iu përgjigj edhe akuzave të opozitës për favorizimet e ‘oligarkëve’ nga qeveria.

“Oligarku i ‘Rrugës së Kukësit’, Shefqet Kastrati është një ndër kontribuesit e PD-së. Saliu dhe Luli e dinë mirë këtë”, tha Rama.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKoha kur gazetari dhunohet, kërcënohet e shantazhohet duhet të marrë fund
Artikulli tjetërPaketa sociale e qeverisë e konsoliduar, shkon te qytetarët në nevojë