PRISHTINË, 3 maj/ATSH/.- Qeveria e Kosovës është e përkushtuar për përfshirjen e komuniteteve joshumicë në të gjitha proceset e vendit.
Kështu deklaroi sot kryeministri Ramush Haradinaj gjatë një takimi me deputetët e Grupit Parlamentar 6+, të kryesuar nga Albert Kinolli, me të cilët bisedoi për çështjen e komuniteteve në përgjithësi.
“Qeveria e vendit si asnjëherë më parë, ka përfshirë përfaqësues të komuniteteve joshumicë në të gjitha institucionet dhe në të gjitha proceset politike të vendit. Shqiptarët dhe komunitetet e tjera në Kosovë nuk ndahen, janë të lidhur dhe kjo është dëshmuar në mënyrën më të mirë të jetës sonë dhe kjo po dëshmohet edhe në qeverisjen aktuale”, tha Haradinaj.
Përmirësimi i pozicionit dhe pjesëmarrjes së të gjitha komuniteteve në jetën institucionale dhe përmirësimi i mirëqenies dhe punësimit, ishin tema të tjera të diskutimit në këtë takim.
Përfaqësuesit e këtyre komuniteteve, njëherësh deputetë të Kuvendit të Kosovës, falënderuan kryeministrin për përkushtimin dhe angazhimin në përmirësimin e jetës dhe të mirëqenies së komuniteteve në përgjithësi, duke premtuar se do të jenë bashkëpunues në përmbushjen e axhendës shtetërore të qeverisë./k.s/























