ATHINË – Më në fund Greqia rregullon sektorin radioteleviziv

ATHINË, 3 maj /ATSH-AFP/ – Pas dy vitesh hezitimi, Këshilli Kombëtar grek i Radiotelevizionit, ERS, përfundoi sot procedurën për dhënien e pesë licencave televizive për transmetim kombëtar, gjë që do të shërbejë për rregullimin e sektorit, theksoi qeveria.

Duke funksionuar në bazë të licencave të përkohshme që prej shfaqjes së radiotelevizionit privat në Greqi në fund të viteve 1980, stacionet televizive janë tashmë konform rregullave dhe pirateria audiovizuale do të marrë fund, theksoi në një komunikatë, Nikos Pappas, ministër i Politikës Dixhitale, Telekomunikacionit dhe Informacionit.

Pas një përpjekjeje të parë dyvjeçare, për shkak të një problemi ligjor, qeveria kishte bërë një ofertë të re në korrik të vitit 2017 për shtatë licenca.

Gjashtë kandidatë kishin shprehur interesin e tyre dhe ERS-ja ka dhënë vetëm pesë licenca, pasi i gjashti nuk përmbushte kushtet e kërkuara.

Këto licenca, me një vlerë totale prej 175 milionë euro janë dhënë për katër stacionet kryesore tashmë ekzistuese “Skaï” e Yannis Alafouzos, pronar gjithashtu i grupit të futbollit Panathinaikos, “Antena” (Ant1) e familjes Kyriakou, gjithashtu “StarChannel” e ndërmarrësit Nikos Vardinoyannis, “Alpha” e Dimitris Kontominas, pronar i një komanie të madhe sigurimesh.

Licenca e pestë iu dha “Epsilon TV”, riblerë së fundi nga Ivan Savvidis, biznesmen greko-rus./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.