Ballina Ekonomi

Nxitje formimit profesional për 25 mijë të punësuar në vit

TIRANË, 2 Maj/ATSH-Maela Marini/ – “Objektivi i vitit është 25 mijë të punësuar vetëm nga Zyrat e Punës dhe besoj se do t’ia dalim”, tha sot Kryeministri Edi Rama, duke theksuar se njerëzit duhet të vetëdijësohen se shteti nuk është punëdhënës, por punëkrijues.

Në nisje të fushatës së llogaridhënies publike, Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga Tirana se, “kjo fushatë nuk synon vetëm dhënien e llogarisë për punën e bërë në gjashtë muajt e parë të qeverisjes, por edhe të dëgjojmë qytetarët në çdo njësi administrative të Shqipërisë, për atë që mendojnë lidhur me punën tonë”.

“Jemi sot pas një tjetër muaji që e kemi tejkaluar objektivin e punësimeve nga Zyrat e Punës. Ajo që mbetet një sfidë e madhe është intesifikimi i ndërveprimeve mes Zyrës së Punës dhe kompanive, për të mundësuar sa më shumë punësime”, tha Rama.

Ai theksoi se duhet të luftojmë fort me mendësinë se vetëm puna në shtet është punë dhe midis punës në shtet dhe asaj në privat, kur mungon e para, është më mirë kafeneja”.

Po ashtu, Rama theksoi rëndësinë e nxitjes së mëtejshme të arsimit dhe formimit profesional.

“Ka shumë njerëz që u drejtohen Zyrave të Punës me dëshirën për të filluar punë, por nuk zotërojnë asnjë aftësi për punë. Për këta njerëz ne kemi rritur volumin e kurseve të formimit profesional dhe kemi ndërtuar një sistem të ri bashkëpunimi me kompanitë për të financuar formimin profesional. Një i papunë që nuk ka aftësinë për të hyrë në një kompani të caktuar merr një financim nga shteti mbi mesataren e ndihmës ekonomike, për të bërë trajnimin e nevojshëm profesional dhe të hyjë në rrugën e punësimit”, tha Rama.

“Sot nisim një fushatë në gjithë territorin e vendit ku e vetmja gjë që ndryshon nga një fushatë zgjedhore do të jetë që nuk ka votim në fund, por ndërkohë ne prekim të gjitha njësitë administrative të vendit dhe flasim drejtëpërdrejt me qytetarët”, nënvizoi Kryeministri.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakHekurudha Tiranë-Durrës, me standarde europiane
Artikulli tjetërTirana me stacion modern multimodal