Të luftojmë me forcë antivlerat sociale

TIRANË, 25 prill /ATSH – I.Vata/ – Të luftojmë me forcë antivlerat sociale, ka deklaruar sot Presidenti i Republikës Ilir Meta, i cili ka marrë pjesë në Prezantimi e studimit “Toleranca fetare në Shqipëri”, organizuar nga Bashkësia Fetare.

Në fjalën e tij, Presidenti Meta tha se vlerësoi nismën e fundit të krerëve të bashkësive fetare në Shkodër për të ndërgjegjësuar komunitetin, për të vlerësuar vlerat e familjes dhe për t’ju kundërvënë veseve që po gërryejnë këto vlera si, droga, bixhozi, bastet dhe njëkohësisht për të sensibilizuar institucionet shtetërore të luftojnë me forcë ndaj këtyre fenomeneve dhe antivlerave sociale.

“Në këtë kontekst vlerësoj se ky studim është serioz dhe vlen për reflektime. Anketime të tilla na duhen si referencë në punën tonë të përditshme, por dhe në të ardhmen. Gjithashtu punime të tilla vlejnë edhe si instrumente vlerësimi të aktualitetit në vendit tonë edhe nga partnerët ndërkombëtarë”, – shtoi Meta.

Po ashtu, Meta tha se “Inkurajoj që bashkëpunimi i bashkësisë fetare, institucioneve të shoqërisë civile, institucione të organizatave ndërkombëtare në vend dhe institucionet shtetërore, të vazhdojnë e të fuqizohen më shumë në të ardhmen”. /r.e/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.