Ballina Kosova

Kosovë-Itali, thellim të bashkëpunimit ekonomik

PRISHTINË, 23 Prill/ATSH/.- “Italia do të jetë përkrahëse e proceseve në rrugën e integrimeve euroatlantike të Kosovës”, deklaroi sot në Prishtinë ministrja e Mbrojtjes e Italisë, Roberta Pinotti.

Gjatë takimit me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, ministrja Pinotti theksoi se “Italia ka qenë një nga vendet e para që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe një nga misionet më të rëndësishme”.

“Ky partneritet do të vazhdojë”, tha ministrja e Mbrojtjes së Italisë e cila vlerësoi edhe angazhimin e kryeministrit Haradinaj.

Kryeministri Haradinaj në fjalën e tij u shpreh se “marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Italisë janë dhe do të mbeten në nivel të shkëlqyer. Italia është afër Kosovës edhe si ndjenjë edhe si gjeografi”.

Haradinaj e falënderoi ministren Pinotti për kontributin e Italisë dhënë Kosovës në të gjitha etapat e zhvillimit, me theks në periudhën e pasluftës, duke kërkuar prezencën e tyre edhe më tutje përmes investimeve, pasi që Kosova ofron ambient të përshtatshëm për investimet e huaja.

Kryeministri Haradinaj tha se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve tona, Kosovës dhe Italisë, janë dhe do të vazhdojnë të thellohen në të gjithë fushat e interesit të përbashkët, duke theksuar se edhe vizita e ministres Pinotti, e dëshmon këtë.

“I gëzohemi investitorëve italianë dhe duhet thelluar bashkëpunimi ekonomik, krahas miqësisë dhe bashkëpunimit politik me këtë vend. Italia e ka një aleat, Kosovën”, tha kryeministri Haradinaj.

Gjatë takimit u bisedua edhe për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri dhe në këtë proces, kryeministri Haradinaj kërkoi mbështetjen e Italisë, pasi kjo do të kontribuonte në forcimin e paqes dhe të stabilitetit rajonal.

Në këtë takim morën pjesë edhe zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, ambasadori italian në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi dhe komandanti i KFOR-it, Gjeneral Major Salvatore Cuoci.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGREQI – Një tërmet 4,0 ballë Rihter trondit ishullin Zakinthos
Artikulli tjetërFUTBOLL – Messi kryeson klasifikimin e sportistëve më të paguar