TIRANË, 17 Prill/ATSH/. – Në qarkun e Elbasanit vijon me një punë intensive aksioni “Të pastrojmë tokën që duam”, për pastrimin e territorit nga mbeturinat, veçanërisht në shtratin e lumit Shkumbin, që ka një gjatësi prej 90 km.
Në një prononcim për ATSH-në, prefekti i qarkut të Elbasanit, Maksim Malaj, theksoi se “kemi përcaktuar pikat që janë më problematike dhe i kemi ndarë në bashkitë e qarkut, si në Elbasan, Librazh, Gramsh dhe Peqin. Gjatë ditës së sotme ka vijuar puna thuajse në të gjithë qarkun e Elbasanit në bashkinë e Gramshit nga Cërrunja deri në Gramsh, në bashkinë e Peqinit ku vazhdon puna për pastrimin e tregut të vjetër”, tha Malaj.
“Në qarkun e Elbasanit specialistët e prefekturës në bashkëpunim me specialistët e bashkisë kanë dalë përgjatë gjithë shtratit të lumit Shkumbin dhe përrenjve që e furnizojnë, si dhe në Devoll e Llixha”, tha ai.
Prefekti Malaj bën të ditur se ” OST po punon në urën e Broshkës, ndërsa forcat e ushtrisë po vazhdojnë aksionin në pjesën nga ura e Murashit deri në Librazhd, ku është terren pak i vështirë”.
Natyrisht, vijon ai, për pastrimin e Shkumbinit jemi munduar të ndajmë të gjithë shtratin e lumit me segmente sipas njësive administrative.
“Shkumbini në qarkun tonë është 90 km pra është shumë. Por, sido që të jetë në disa vende nuk mund të futemi dot, por është një detyrë që ne do ta çojmë deri në fund. Ndoshta nuk do të arrijmë ta pastrojmë të gjithë tani në ato vende që nuk futemi dot, por në momentin e uljes së prurjeve gjatë muajve korrik -gusht do të ndërhyjmë edhe në pjesët e tjera për ta pastruar plotësisht”, nënvizoi Malaj.
Lidhur me sensibilizimin e qytetarëve, Malaj shprehet se “kemi bërë një punë të mirë me lokalet që janë pranë shtratit të lumenjve, në mënyrë që mbajnë pastër ambientin përreth tyre për të mos hedhur mbeturina”.
Ai tha se aksioni më pas do të vazhdojë me ndërmarrjet e bashkisë, me të gjitha institucionet e shtetit që janë në nivel vendor, sepse të gjithëve u kemi caktuar pjesën që duhet të pastrojnë.
Sipas tij, në këtë aksion do të marrin pjesë edhe shkollat, pasi natyrisht sensibilizimi që duhet të bëhet punë duhet të shërbejë edhe si një sensibilizim që të gjithë ta mbajmë pastër mjedisin .
“Duke parë si është gjendja edhe vetë njerëzit do të ndërgjegjësohen për të mbajtur pastër ambientet ku jetojnë”, tha Malaj.
Prefekti i qarkut të Elbasanit Malaj bëri të ditur se gjatë ditës së djeshme është punuar kryesisht në urën e Murashit, brenda qytetit të Librazhdit pranë stacionit të trenit. Gjithashtu është punuar edhe në by passin e Peqinit.


































