Sigurimi i jetës për minatorët, i detyrueshëm

162

TIRANË, 16 prill /ATSH/- Sigurimi i jetës për minatorët do të jetë i detyrueshëm.

Kryeministri Edi Rama gjatë një interpelance të zhvilluar me përfaqësues të sindikatave të minatorëve deklaroi se qeveria ka në plan t’u imponojë kompanive të sigurimit sigurimin e jetës së çdo minatori.

Trajtimi i familjeve të minatorëve që humbasin jetën në miniera, ishte një ndër kërkesat e sindikalistëve.

Kryeministri shpjegoi se do të jenë shoqëritë e sigurimeve që do të përgjigjen për familjen, siç parashikohet në skemat e sigurimeve për jetën.

“Në raport me jetën dhe me çfarë ndodh pas, për familjet e atyre që fatkeqësisht humbin jetën, duhet të kemi parasysh se rruga nuk është buxheti, por sigurimi i jetës dhe ky është pjesë e planit të qeverisë që do t’u imponojë kompanive, sigurimin e jetës së çdo minatori. Është shoqëria e sigurimeve që përgjigjet për familjen, siç parashikohet në skemat e sigurimeve për jetën”, deklaroi kryeministri.

Sipas kreut të ekzekutivit, kemi pasur reduktim drastik të humbjeve të jetëve në miniera, si rezultat i rritjes së ligjshmërisë në këtë sektor. /a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.