TIRANË, 16 prill /ATSH/ – Ka marrë zgjidhje problemi i ujit të pijshëm për banorët e lagjes që shtrihet në dy krahët e rrugës “Studenti”, në Njësinë Administrative Nr.7.
Ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë ka përfunduar një tjetër investim të rëndësishëm, duke zëvendësuar të gjithë rrjetin e ujësjellësit në këtë lagje, duke mundësuar jo vetëm një shërbim më cilësor me ujë, por edhe duke shmangur humbjet dhe problematikat e shumta që vinin për shkak të tubacioneve të vjetra. Krahas punimeve në shtrimin e rrjetit të ri, punonjësit e UKT-së kujdesen edhe për rikthimin e rrugës në gjendjen e mëparshme.
“Grupet tona vazhdojnë të punojnë me ritme të larta çdo ditë të javës. Kësaj here është përfunduar rikonstruksioni i rrjetit të ujësjellësit në rrugën ‘Studenti’. Rikthimi i ambientit të punimeve në gjendjen e mëparshme, është pjesë e punës sonë për të rritur standardet e shërbimit ndaj qytetarëve”, shkruan UKT në faqen e tij në ‘Facebook’. /e.malaj/ /a.g/





























