Dibra një perlë e turizmit, traditës dhe diversitetit kulturor

98

TIRANË, 15 Prill /ATSH- I. Vata/ – Diversiteti natyror, zhvillimi ekonomik bujqësor, potenciali turistik në hapësirat rurale, agro-turizmi dhe trashëgimia kulturore e kanë bërë Dibrën të jetë pjesë e projektit të “100 fshatrave” ku përfaqësohet me Radomirën, Rabdishtin dhe Kërçishtin e Epërm.

Kryetari i Bashkisë Dibër, Muharrem Rama tha për ATSH-në se, ka nisur puna për sistemimin e rrugëve në thellësi të fshatrave dhe presim që të bëhen pjesë e përfitimit të projektit dhe ekonomitë bujqësore, pse jo të jenë qendra të vizitueshme nga turistë vendas dhe të huaj.

Më tej, Kryetari i Bashkisë Dibër, Muharrem Rama tha se, Dibra ka resurse të jashtëzakonshme natyrore, pasi është një nga trevat më të bukura të vendit, kufizohet me Maqedoninë dhe shtrihet në një territor të gjerë, nga lartësia e malit të Korabit dhe deri në kufijtë e Matit me malin e Dejës, ku shtrihet në veri Lura, një nga perlat e Shqipërisë.

“Qyteti i Peshkopisë vazhdon të konturohet çdo ditë e më shumë me ndërhyrjet që kemi bërë, duke përfunduar pedonalen e qytetit, unazën e vogël që është drejt përfundimit dhe vazhdon puna për unazën e madhe. Së shpejti përfundojmë edhe urën, që është një investim i konsiderueshëm”, tha Rama.

Më tej, kreu i Bashkisë Dibër, Rama tha se, me firmosjen e kontratës nga qeveria për Rrugën e Arbrit, Dibra bëhet një qendër më e afërt me Tiranën dhe vendet fqinje, duke e bërë atë një destinacion të preferuar turistik.

“Përmirësimi i infrastrukturës publike, mbështetja për infrastrukturën rrugore, rivitalizimi i hapësirave publike-urbane, infrastrukturë komunitare, shërbime publike, infrastrukturë mjedisore, turistike, monumente të trashëgimisë kulturore, qendra multifunksionale komunitare, peizazhi mjedisor janë ato që e bëjnë Dibrën një perlë të turizmit dhe vlerave”, tha ai.

Projekti “100 fshatrat” ka në fokus zhvillimin ekonomik nëpërmjet diversifikimit të aktiviteteve ekonomike, përmirësimin e potencialit turistik në hapësirat rurale, agroturizëm dhe turizëm rural, mbështetje të trashëgimisë kulturore, mbështetje për promovimin e traditave dhe të jetesës në fshat.

“Dibra është një nga trevat me ekonomi bujqësore, traditë të shkëlqyer kulturore, dhe vlera tradicionale dhe një nga perlat e Shqipërisë për turizmin, që tashmë është në projektin e “100 fshatrave”, tha në fund Rama./m.m/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.