TIRANË, 14 prill/ATSH/- Partia Demokratike ka organizuar një protestë në qytetin e Shkodrës me një grup tregtarësh të vegjël, të cilët kundërshtojnë përfshirjen në skemën e TVSH-së.
Një lajm i publikuar në media se Kryeministri Edi Rama do të zhvillonte një vizitë në Shkodër, ka mobilizuar strukturat e Partisë Demokratike në qytetin veriperëndimorë që të ndërmarri një protestë.
Referuar lajmeve në media, Kryeministri Rama pritej të zhvillonte një takim me sipërmarrës të vegjël nga Shkodra, ku do fliste për vendosjen e TVSH-së për ata biznese që kanë kaluar pragun e 2 milionë lekëve gjiro vjetore.
Në Shkodër përhapja e lajmit ka çelur dhe horizontin e një proteste, që sipas mediave po u organizonte nga biznesi i vogël, me mbështetjen e PD.
Partia Demokratike lajmëroi se do të ishte përkrah biznesit të vogël. Kryesia e kësaj force politike në Shkodër zhvilloi të enjten një mbledhje me praninë edhe të deputetëve të qarkut, si dhe kryetarët e grupseksioneve. Por protesta dhe qëllim i saj nuk u realizuan plotësisht, pasi Kryeministri Rama kishte një vizitë në Vlorë e jo në Shkodër.
Siç njoftoi zyra e shtypit e kryeministrisë, Kryeministri Edi Rama nuk ka pasur asnjë plan për të vizituar Shkodrën sot dhe vizita e tij e supozuar, është shpikur nga Partia Demokratike për të nxitur një tension të kotë në luftën e dëshpëruar me pafuqinë e saj./a.f//e.caushi/























