TIRANË, 14 prill/ATSH/- Administrata Tatimore shpjegon hapat që duhet të ndjekë një tatimpagues që hyn për herë të parë në skemën e deklarimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar dhe mënyrën se si mund të përfitojnë nga TVSH e zbritshme.
Nëndrejtori i Tatimeve, Xhavit Curri në një intervistë për ATSH, flet për procedurat e skemës së TVSH-së.
“9975 tatimpaguesit e përfshirë në skemën e regjimit të TVSH-së do të duhet të bëjnë kujdes në disa drejtime kryesore. Së pari do të duhet të bëjnë inventarin e mallrave gjendje në njësitë e tyre”, shprehet Curri.
Këta tatimpagues, vijon ai, do të duhet të bëjnë kujdes që për çdo shitje te konsumatori final të lëshojnë kupon tatimor.
“Për këtë ata paraprakisht do të duhet të konfigurojnë kasën e tyre me 20% TVSH”, deklaron Curri.
Nëndrejtori i DPT-së i bënë thirrje kësaj kategorie biznesi, që të kërkojë faturë tatimore për çdo blerje që ata bëjnë .
“Nëse e bëjnë këtë, ata do t’i krijojnë mundësinë vetes që të kreditojnë më shumë TVSH, pra të zbresin më shumë TVSH nga TVSH-ja që ato llogarisin për shitjen e tyre”, shpjegoi Curri.
/a.gjonaj//e.caushi/











