Ballina Kryesore

Statusi i naftëtarit, prioritet punonjësit e Ballshit

TIRANE, 11 Prill/ATSH/- Në 100-vjetorin e industrisë së naftës, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri siguroi naftëtarët se po punohet për statusin e naftëtarit dhe se të gjithë ata naftëtarë që u takon statusi do t’a marrin atë.

Gjiknuri theksoi se janë mbi 900 kërkesa në përpunim e sipër dhe janë të gatshme.

“Ky proces po vazhdon. Ka pak vonesa pasi kërkesat janë të shumta, ka mungesë dokumentacioni”, shpjegoi ministri.

Dhënia e statusit të naftëtarit, sipas kreut të MIE-s, ka nisur nga Rafineria e Ballshit, pasi theksoi ai, janë në kushte ekstreme dhe ajo industri ka qenë shumë në vështirësi dhe gati në mbyllje.

“Ata meritojnë një trajtim dhe këtu dua mirëkuptimin e të gjithë pjesës tjetër, por ne jemi të vendosur të vazhdojmë me këtë proces me radhë, për t’a përfunduar në një kohë të arsyeshme, në mënyrë që të gjithë ata naftëtarë që u takon statusi i naftëtarit t’a marrin atë status. Në fillim e nisëm me Ballshin, pasi ka një emergjencë sociale dhe që duhet adresuar nga qeveria në këtë drejtim”, nënvizoi Gjiknuri. /a.gj/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBB: Tarifa e “Rrugës së Kombit”, e nevojshme për mirëmbajtjen
Artikulli tjetërKukës, Ahmetaj me biznesin e vogël: S’ka taksë të re