Ballina Aktualitet

Miratim dhe kundërshti në protestën për vendosjen e TVSH-së

TIRANË, 10 Prill/ATSH/ – Në kryeqytet por edhe në disa qytete të tjera të vendit, një pjesë e tregtarëve i janë bashkuar thirrjes së opozitës për të protestuar për përfshirjen në skemën e deklarimit të TVSH-së për biznesin me xhiro mbi 2 milionë lekë.

Ata pezulluan aktivitetin e tyre për rreth 1 orë me pretendimin se vendosja e TVSH-së për biznesin e vogël do t’i çojë ata drejt falimentimit.

Deputetë të PD dhe LSI ishin pranë këtyre tregtarëve që iu bashkuan thirrjes për të ulur qepenat e bizneseve të tyre.

Por jo të gjithë tregtarët i janë bashkuar protestës kundër vendosjes së TVSH-së.

Një pjesë e tyre kanë vijuar normalisht aktivitetin dhe kanë kërkuar që të mos bëhet politikë me këtë çështje.

Ata kanë refuzuar prezencën e deputetëve të opozitës, të cilët i kanë akuzuar se po bëjnë politikë.

Basha: Futja e biznesit të vogël në TVSH, goditje e ekonomisë

Futja e biznesit të vogël në TVSH është goditje që i bëhet biznesit, ekonomisë, dhe vetë Shqipërisë”, ka deklaruar sot kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Basha shprehet në Facebook se “sipërmarrësit e vegjël janë motori i çdo ekonomie dhe shoqërie: ata krijojnë punësim, ata sjellin zhvillim, ata sjellin mirëqenie. Nuk ka asnjë arsye ekonomike, asnjë arsye publike për vendimin kundër biznesit të vogël. Ka vetëm dy arsye private: favorizimi i oligarkëve dhe krijimi i kushteve për koncesionin privat të TVSH-së”.

Duke folur për protestën e biznesit të vogël ndërmarrë në të gjithë vendin, Basha tha se “sipërmarrësit e vegjël treguan sot në mbarë vendin se ata nuk do të heshtin para arbitraritetit, nuk do të lejojnë që bizneset dhe mundi i tyre të grabitet nga qeveria dhe klientët e saj”.

./m.m/ /i.v/ /a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMJEDIS – Më në fund më shumë dëborë sesa para 200 vitesh në Antarktidë
Artikulli tjetërShqipëri-Kosovë drejt njohjes së pensioneve