Berat, vijon puna për mirëmbajtjen e monumenteve

TIRANË, 7 Prill/ATSH/.- Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Berat vijon punën çdo ditë për mbrojtjen e monumenteve të trashëgimisë kulturore të qytetit, të cilësuar si  “qyteti i një mbi një dritareve”.

Ditët e fundit si pasojë e dëmtimit të rrjetit të ujit të pijshëm që kalon në segmentin nga banesa e Llazar Pushit deri tek banesa e Llazar Zanatit, në lagjen “Goricë”, përafërsisht 30 m gjatësi lineare, nga Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve-Berat u morën masat e nevojshme duke riparuar defektin, i cili rrezikonte në mënyrë serioze shembjen e mureve të 4 banesave me status “monument kulture”.

DRKK Berat mori masat për të mbikëqyrur të gjithë ndërhyrjen dhe për të monitoruar situatën.

Pas përfundimit të punës nga ana e DUK-Berat, punëtorët e mirëmbajtjes së DRKK-së janë në proces pune për riparimin dhe përmirësimin e gjendjes së kalldrëmit në këtë segment rruge.

Sipas specialistëve, në fillim u krye nivelimi i dherave, ngjeshja e tyre me tokmak, hedhja mbi të e një shtrese granili dhe aktualisht janë në procesin e lidhjes së gurëve të aksit të rrugës me llaç.

Ndërsa më pas do të vazhdohet me hedhjen e dheut të situr dhe vendosjen e gurëve të tjerë me teknikën tradicionale, karakteristikë për kalldrëmet e qytetit të Beratit.

Ansambli i lagjes Goricë zhvillohet në pjesën më të ulët të një lartësie kodrinore, që kurorëzohet në majë me një fortifikim të periudhës antike. Nga pjesa tjetër e qytetit e ndan lumi Osum dhe deri vonë mënyra e vetme e komunikimit ishte nëpërmjet urës së Goricës.

Në këtë zonë gjenden disa banesa të mëdha kryesisht të tipit me çardak, që duket se i përkasin fazës së shekullit të XVIII. Këto banesa ishin në pronësi të shtresave të pasura të qytetit, në dallim me banesat e brezit të sipërm që zotëroheshin kryesisht nga shtresat e mesme qytetare.

Në qendër të lagjes vazhdimin e linjës së banesave e thyen prezenca e kishës tip bazilike të Shën Spiridhonit. Për vetë pozicionin që ka lagja Goricë, ndryshe nga Mangalemi, kapet më pak nga rrezet e diellit. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.