TIRANË, 5 Prill /ATSH-Maela Marini/- Byroja e Kuvendit rrëzoi sot kërkesën e grupit parlamentar të LSI-së për përjashtimin nga punimet e Kuvendit të Kryeministrit Edi Rama.
Në drejtimin e Kryetarit të Kuvendit, Gramoz Ruçi, Byroja e Kuvendit shqyrtoi kërkesën e grupit parlamentar të LSI-së me objekt: “Përjashtimin nga punimet e Kuvendit në seancë plenare të Kryeministrit, Edi Rama”.
Anëtarët e Byrosë pasi dëgjuan prezantimin e përfaqësuesit të grupit të LSI-së dhe zhvilluan diskutimet ndërmjet tyre, vendosën rrëzimin e kërkesës me 6 vota kundër dhe tre pro.
Në një prononcim për mediat pas mbledhjes së Byrosë, Zëvendëskryetarja e Kuvendit, Vasilika Hysi u shpreh se, “sot të gjithë deputetët nuk lejohen të shprehin asnjë fjalë që mund të keqkuptohet apo të merret me dy kuptime dhe kjo falë miratimit të Kodit të Sjelljes”.
“Në seancat plenare dhe kudo, ne duhet të jemi të kujdesshëm për të shmangur çdo lloj fjalimi, diskutimi apo shprehje që në gjuhën shqipe mund të marri kuptime të dyta ose të treta”, tha Hysi, ndërsa shtoi se citati për të cilin u kërkua përjashtimi i Kryeministrit ishte një poezi dhe kjo verifikohet edhe në procesverbalin e seancës.
Nisur nga fakti se kjo kërkesë vjen vetëm ditën e sotme nga deputetët e opozitës, sipas Hysit tregon se, “kjo ishte një lëvizje tjetër për të hedhur baltë mbi një proces, kur ne për 13 ditë presim një përgjigje nga KE për hapjen e negociatave me Shqipërinë”.
“Në kuadër të gjithë asaj baltosje që është ndërmarrë këto ditë duhej të bëhej edhe një gjë tjetër në Kuvend dhe ky ishte një pretekst. Por kjo nuk do të thotë që ne nuk duhet të jemi të kujdesshëm”, tha Hysi.
Kodi i Etikës u miratua dhe ka hyrë në fuqi dhe sipas Hysit, tashmë ka një listë të fjalëve apo gjesteve që nuk lejohen. “Ashtu sikurse nuk i lejohet deputetit që jo vetëm brenda Kuvendit, por edhe jashtë tij, të kryejë veprimtari të cilat bien ndesh me interesin e publikut, siç ishin veprimtaritë e sotme të opozitës”, tha Hysi.











