TIRANË, 4 prill /ATSH/- Brenda këtij mandatit qeverisës, rritja e pagës së mësueve do të prekë shifrën e 40 %.
Kjo u bë e ditur nga vetë ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla gjatë një takimi të zhvilluar me rektorë dhe dekanë të fakulteteve të edukimit për të diskutuar rreth mundësive të përmirësimit të formimit cilësor të mësuesve të rinj.
Nikolla parashtroi domosdoshmërinë e përafrimit të kurrikulave mes fakulteteve të edukimit në universitete të ndryshme, në masën 80%. Ajo informoi profesorët edhe për përpjekjet e vazhdueshme që po bënë institucioni që ajo drejton për rritjen e dinjitetit të mësuesve, rritjen e pagës deri në 40% brenda mandatit dhe ofrimin e mundësisë për të konkurruar në bazë të meritokracisë në portalin e ri “Mësues për Shqipërinë”.
Nikolla diskutoi me drejtuesit e këtyre fakulteteve edhe rishikimin dhe përmirësimin e kritereve të pranimit të kandidatëve që zhvillojnë studimet për mësuesi, duke synuar rritjen e notës mesatare të pranimeve mbi 6.
Sipas ministres, mësuesia është një ndër prioritetet e qeverisë për këtë vit shkollor.
“Jemi të angazhuar që profesionin e mësuesve, mësuesinë, t’a bëjmë një profesion të kërkuar, e dimë që kjo s’bëhet thjesht duke përmirësuar kurikulat universitare, së pari është për t’i kthyer mësuesit dinjitetin, por edhe pagën edhe pse sot mësuesit kanë një nivel të themi të kënaqshëm të pagës, ne jemi të angazhuar që në këtë mandat paga e mësuesit të pësojë një rritje deri në 40%, ashtu sikurse edhe gjithë procesi tjetër që lidhet me karrierën, që lidhet me menaxhimin e shkollave, me administrimin në nivel shkollor të sistemit arsimor, po i adresojmë duke përdorur përvojën dhe asistencën më të mirë ndërkombëtare”, tha Nikolla.
Sakaq, ajo shtoi se “një angazhim dhe detyrë tjetër që qeveria duhet të përmbushë është t’ja bëjë atraktive maturantëve më të mirë për të zgjedhur mësuesinë. Do dedikojmë buxhete për ata maturantë ekselentë, që zgjedhin programet e mësuesisë, ne do të financojmë me bursa të plota gjithë studimet e tyre. /z.tosku//re./

























