TIRANE, 2 Prill/ATSH/- Një ndër ekspertët më të njohur të ndërtimit të rrugëve, njëkohësisht kryetari i Shoqatës së Inxhinierëve Konsulentë, Farudin Kaba dënoi ashpër dhunën e ushtruar nga qytetarët gjatë protestës kundër tarifës në “Rrugën e Kombit”, mbajtur të shtunën.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me përfaqësues të disa shoqatave të biznesit në vend, Kaba theksoi se studimi për përcaktimin e tarifës për përdorimin e rrugës është bërë nga institucionet financiare ndërkombëtare dhe tarifa është shumë afër kostos që nevojitet për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor si dhe tunelit të Thirrës.
Ndërsa informoi se ekziston rruga alternative për ata qytetarë që duan të shmangin pagesës së tarifës.
“Standardin nuk e ka përcaktuar as qeveria shqiptare dhe as koncesionari. Standardin e kanë përcaktuar institucionet ndërkombëtare, konsulentë të certifikuar dhe këtu është gjetur minimumi i mundshëm në mënyrë që të mos preken as qytetarët, as bizneset, por as të mos ketë shpërdorime të zbatimi të koncesionit dhe parametrave ndërkombëtare”, deklaroi Kaba.
Sipas standardeve ndërkombëtare, tha ai, është e përcaktuar që për çdo 15-20 km të paguhet 1 euro dhe vendet e rajonit si Kroacia e ka çdo 15 km. Ne, sipas Kabës, e kemi të ndërmjetme këtë distancë dhe është e certifikuar.
Ai theksoi se standardi i rrugës do të arrihet nëpërmjet investimeve.
“Janë bërë disa tentativa madje edhe para fillimit të ndërtimit që rruga të ndërtohet me koncesion, por trafiku relativisht i kufizuar e bënte gati gati të pa mundur. Pas ndërtimit të rrugës janë edhe një mori investimesh që duhen kryer. Janë rreth 42 milionë euro që do të investohen për aksin Kukës-Morinë. Përveç kësaj, mirëmbajtja ka një kosto shumë të lartë. Është një rrugë malore. Konsulenti i certifikuar ndërkombëtar që ka bërë studimin ka arritur në optimumin e mundshëm”, tha Kaba.
Duke folur më tej për investimet që do të kryhen përgjatë këtij aksi rrugor nga kompania koncesionare, Kaba tha se do të bëhet një by pass në Kukës, do të ndërtohet një urë e vështirë që nuk është ndërtuar ndonjëherë, do të investohet në 38 pika shumë të rrezikshme që janë shkarje potenciale.
Po ashtu, sipas inxhinierit të njohur, do të punohet me mbulesën e rrugës, e cila gjatë kësaj periudhe 7-8 vjeçare që prej ndërtimit të saj ka pësuar amortizim.
“Janë 5 kryqëzime që do të ndërtohen për të ulur në maksimum mundësinë e riskut të aksidenteve në rrugë. Janë një mori investimesh që do të kryhen për të arritur ato standarde që duhen. Sipas përllogaritjeve, mirëmbajtja e rrugës së bashku me investimet që parashikohen në aksin Kukës-Morinë llogaritet rreth 250-260 milionë euro përgjatë kohës së koncesionarit. Vetëm tuneli kërkon një shifër të lartë investimi”, shpjegoi Kaba.
Eksperti i njohur, Farudin Kaba duke vënë theksin në informimin e saktë të qytetarëve, tha se ndryshe nga sa është thënë, realisht ka rrugë alternative për të gjithë ata që duan t’i shmangen pagesës së tarifës.
Nga kthesa e Shumrisë në Kukës janë rreth 40 km rrugë dhe qytetarët atje mund të kalojnë përmes rrugës së vjetër. Po ashtu, nga Miloti deri në Rreps mund të përdoret sërish kjo autostradë dhe janë gati 80 km që mund të përdoren pjesë të autostradës dhe pa kaluar në tunel duke iu shmangur tarifës”, theksoi Kaba.
Gjithsesi theksoi ai, ka hapësirë për të rishikuar tarifat për banorët vendas dhe bizneset që kanë frekuencë të lartë të kalimit të rrugës.
Ai shtoi se protestat nuk janë mënyra e duhur për të kërkuar negociata me koncesionarin. /a.gjonaj/ /a.g/























