Strehimi në Tiranë – Bashkia hap aplikimet për 500 kredi të buta

TIRANË, 29 Mars/ATSH/.- Bashkia e Tiranës ka rihapur programin e kredive të buta për familjet dhe çiftet e reja që duan të blejnë një shtëpi.

Rreth 500 familje të pastreha do të kenë mundësi që të përfitojnë subvencionim të interesave të kredisë për blerjen e një banese.

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak, ku u miratuan një sërë projektvendimesh të rëndësishme, kryebashkiaku Erion Veliaj, deklaroi se programi për kreditë e buta ka qenë programi social më ambicioz që ka aplikuar ndonjëherë Bashkia e Tiranës, duke dhënë një model realist dhe efikas për zgjidhjen e problemit të strehimit në qytetin e Tiranës.

Veliaj theksoi se përmes kësaj skeme, Bashkia e Tiranës u jep zgjidhje problemit të strehimit për çiftet e reja dhe njëkohësisht krijon mundësi reale për stimulimin e sektorit bankar.

“Ne shkojmë nga qendrat e emergjencës, tek banesat sociale, tek bonusi i qirasë dhe kreditë e buta, si paketa të ndryshme që targetojnë shtresa të ndryshme të popullsisë, sipas kapacitetit financiar që ata kanë”, deklaroi Veliaj.

Në total do jenë në dispozicion në këtë fazë rreth 500 kredi me interesa të ulëta dhe që do të përfitohen nga familjet e reja që plotësojnë kriteret e përcaktuara.

Përfitues potencial në programin “Subvencionimi i interesave të kredisë për familjet e reja”, do të jenë familjet e reja që: përbëhen nga çifti i ri me moshë totale deri në 70 vjeç; përbëhen nga familje të reja që kanë në ngarkim persona me aftësi të kufizuar apo persona në pension; nuk kanë në pronësi një banesë; kanë të ardhura sipas limitit të përcaktuar në këtë program; nuk janë dhe nuk kanë qenë përfitues të programeve të tilla të ngjashme më parë”.

Duke u nisur nga problematikat e hasura gjatë thirrjes së parë është parë e arsyeshme të ndryshojnë disa nga përbërësit e skemës së subvencionimit të interesave të kredisë dhe kufijtë minimal dhe maksimal të nivelit të të ardhurave që duhet të plotësojnë aplikuesit.

Së pari, ndryshon mosha e përfituesve, pasi është marrë në konsideratë fakti që disa përfitues për shkak të moshës së madhe janë penguar në klasifikimin për kredi. Tashmë mosha e çiftit duhet të jetë me moshë totale deri në 70 vjeç. Së dyti, afati i subvencionimit të kredisë do të rritet nga 15 në 20 vjeç, duke bërë që kësti mujor për një familje përfituese të jetë më i ulët dhe më i përballueshëm. Së treti, ndryshojnë edhe të ardhurat e përkohshme.

Tirana me tri lagje të reja

Një tjetër vendim i rëndësishëm ishte dhe ai i krijimit të tri lagjeve të reja Tiranë, të cilat do të sjellin më shumë shërbime dhe investime në këto zona. Banorët e lagjeve periferike të Tiranës urbane, kryesisht në zonën e Freskut, Tiranës së re në Kashar dhe në zonën e Selitës në Farkë i duhet sot të humbasin një ditë të tërë pun,e apo të udhëtojnë gjatë për të marrë një shërbim në zyrat e njësive administrative.

Ndaj nisur nga kjo situatë problematike dhe shqetësimi i vazhdueshëm i qytetarëve të përcjella edhe në dëgjesat publike të zhvilluara gjatë muajit nëntor nga Bashkia e Tiranës, si dhe nga peticionet e disa banorëve të zonave të lartpërmendura, Këshillit Bashkiak miratoi vendimin për krijimin e tri lagjeve të reja në kryeqytet si pjesë e zonës urbane, të cilat do të emërtohen “Lagjja nr. 12”, “Lagjja nr. 13” dhe “Lagjja nr. 14”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se ky riorganizim i jep zgjidhje një sërë problematikash që kanë qenë një shqetësim i vazhdueshëm për banorët dhe do të sjellë më shumë investime.

Veliaj sqaroi se nëse këto njësi në të ardhmen do të kenë potencialin të kthehen në njësi administrative me të gjitha kompetencat, do të jetë Këshilli Bashkiak që do t’i çojë një propozim Parlamentit.

Këshilli Bashkiak, vendime sociale në ndihmë të komunitetit 

Këshilli Bashkiak mori sot edhe një sërë vendimesh të tjera me karakter social, si projektvendimet për dhënien e ndihmës ekonomike për periudhën 1-31 mars 2018, për miratimin e pagesës për PAK e invalidët e punës për periudhën 1-31 mars 2018; për kompensimin e çmimit të energjisë elektrike, për kategoritë përfituese, gjatë periudhës 1-28 shkurt 2018 si dhe për miratimin e familjeve përfituese dhe fondit nga programi i bllok-ndihmës ekonomike deri në 6 për qind me fondet e buxhetit vendor, për periudhën 1-28 shkurt 2018.

Gjithashtu, këshilli miratoi dhe listën e studentëve në institucionet e arsimit të lartë publik, që përfitojnë bursë shteti për vitin akademik 2017-2018 dhe të listës së nxënësve të arsimit parauniversitar në institucionet arsimore publike.

Mes vendimeve të miratuara ishte dhe ai për përdorimin e bibliotekave të lagjeve si qendra të mirëfillta multifunksionale për zhvillimin, stimulimin e ideve të reja dhe promovimin e tyre.

Këshilli miratoi edhe marrëveshjen “Për mbështetjen e projektit”, ndërmjet Bashkisë së Tiranës, UKT sha dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), në lidhje me marrëveshjen e huasë për projektin “Zgjerimi i impiantit të përpunimit të ujit të Bovillës dhe ndërtimit të një linje të re furnizimi për pjesën perëndimore të Bashkisë Tiranë”.

Kjo hua do të krijojë mundësinë për të realizuar një sërë investimesh të rëndësishme duke garantuar një furnizim shumë më cilësor për Tiranën dhe dyfishim të sasisë së ujit./m.m//r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.