UASHINGTON – SHBA mohon heqjen e bazave ushtarake në Turqi dhe Katar

UASHINGTON, 26 mars /ATSH-AA/ – Komanda Qendrore amerikane, CENTCOM, ka mohuar njoftimet se është duke u larguar nga baza e saj ushtarake në Inçirlik, në provincën e Adanasë, në jug të Turqisë, dhe atë Al Udeid, në jugperëndim të Dohës, në Katar.

“SHBA-ja nuk po e lë bazën ajrore Inçirlik në Turqi, as nuk janë duke e lëshuar bazën Al Udeid në Katar. Këto raporte janë të rreme dhe pa vlerë”, tha në rrjetet sociale CENTCOM.

Ndërkohë, Komanda Qendrore e Forcave Ajrore të SHBA-së, AFCENT, përmes rrjeteve sociale po ashtu tha se të gjitha raportet e tilla kanë “zero besueshmëri”.

“Këto raporte të padobishme ushqejnë mosbesim dhe ndarje midis partnerëve rajonalë, në një kohë kur ne duhet të punojmë së bashku për të adresuar shqetësimet e përbashkëta të sigurisë”, tha AFCENT.

Para pak ditësh, Pentagoni tha se marrëdhëniet diplomatike midis SHBA-së dhe Turqisë nuk kanë ndikuar në operacionet ose personelin amerikan në Turqi.

“Baza e Forcave Ajrore në Inçirlik vazhdon të përmbushë një rol të rëndësishëm duke mbështetur përpjekjet e NATO-s dhe të koalicionit. Operacionet e koalicionit kundër ISIS-it janë të koordinuara ngushtë dhe kanë mbështetjen e plotë të partnerëve tanë turq”, u tha gazetarëve në tetor të vitit të kaluar zëdhënësi Rob Manning./ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.