TIRANE, 25 Mars/ATSH/- Në panairin lokal të Belshit, ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi u informua nga banorë të zonës, për rritjen e prodhimit të bimës tejet të kërkuar të shafranit.
Kjo bimë dhe produkte të tjera lokale kanë nisur të shndërrohen në biznesin e qindra familjeve të Belshit, qyteza turistike përgjatë liqeneve të të cilit janë duke u zhvilluar edhe bujtina dhe guesthouse turistike.
Modeli i ngritur në fshatin Seferan, një nga 100 fshatrat turistikë tashmë është një nxitje për të gjithë fshatrat e zonës.
Ministri Klosi i njohu banorët e zonës me fondet në dispozicion të agroturizmit gjatë një takimi me komunitetin dhe përfaqësues të pushtetit lokal, Bashkimit Europian në bashkinë e Belshit në kuadër të projektit “Bashkitë në BE”.
Kreu i Turizmit dhe Mjedisit u bëri thirrje banorëve të aplikojnë për mbështetje financiare pikërisht nga fondet shtetërore të agroturizmit. Këtë mbështetje financiare që shkon deri në 200 milion lekë të vjetër për çdo përfitues, e marrin ata që zhvillojnë një produkt tradicional shqiptar, apo ngrenë struktura turistike me karakteristika lokale. “Zonat rurale duhet shndërrohen në destinacione të vërteta ekonomike dhe bashkia e Belshit me pasuritë natyrore që zotëron ka të gjitha mundësitë për t’u shndërruar në një nga pikat më turistike të vendit”- tha ministri Klosi.
Ministri Klosi u shpreh se pas Rilindjes Urbane që e ka shndërruar bashkinë e Belshit në një bashki europiane, programi “100 fshatrat turistikë” do të rikthejë vëmendjen te fshati.
“Prandaj Rilindja Rurale me projektet e saj të “100 fshatrave” ka marrë një zhvillim të madh duke u përpjekur që në 100 fshatrat e parë, një nga të cilët është fshati që ne vizituam të jenë si magnete për të ndërtuar një politikë të ngjashme edhe në fshatra të tjerë; pra kush janë ato zona komunitare që prodhojnë histori, dhe fshati Seferan ka historinë e vjetër përsa i përket zbulimeve arkeologjike, ka bukurinë natyrore ka njerëzit e shkëlqyer që janë futur në biznesin e agroturizmit me guxim dhe sot ka mundësitë që të shndërrohet në një nga pikat më të bukura të qarkut të Elbasanit dhe të jetë një nga pikat më të bukura të Shqipërisë”, tha ai.
Politikat për agroturizmin, do të bëjnë të mundur që fshatrat me pasuri natyrore, historike dhe tradita në prodhime shqiptare, të zhvillojnë ekonominë lokale. Ministri Klosi theksoi se ekuilibri midis zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit dhe mbrojtjes së qëndrueshme të mjedisit, do të arrihet përmes zbatimit të politikave të qeverisë shqiptare.
Deputeti i zonës, Musa Ulqini tha se investimet e viteve të fundit në bashkinë e Belshit kanë sjellë zhvillime pozitive që nga infrastruktura që lidh fshatrat e kësaj bashkie e deri tek përfshirja e zonës, në projektin e 100 fshatrave. “Në këtë projekt “–tha Ulqini – “kemi fshatin Seferan, por shpresojmë të shtojmë edhe dy fshatra të tjerë”. Deputeti i zonës theksoi gjithashtu se integrimi në BE nuk mund të arrihet pa u përmbushur edhe standardet mjedisore.
Në fshatin Seferan pasi panë investimet dhe bukuritë natyrore ministri Klosi së bashku me deputetin Ulqini, kryetarin e bashkisë, e përfaqësues të projektit të BE, mbollën disa fidanë të rinj. /a.g/






































