TIRANË, 24 Mars/ATSH/.- Procesi i Vetting-ut që ka ndërmarrë qeveria shqiptare është unik në rajon, duke e bërë Shqipërinë model për vendet e tjera të Ballkanit”, deklaroi nga Uashingtoni zëvendës ndihmës Prokurori i Përgjithshëm në Departamentin e Drejtësisë, Bruce Swartz.
Gjatë takimit me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj, Swartz shprehu falënderimin për bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare, duke e bërë Shqipërinë “vendin model në rajon sa i takon bashkëpunimit për çështjet penale”.
“Ajo çfarë kemi realizuar së bashku deri tani, është shumë e rëndësishme për sigurinë e të dy vendeve”, tha Swartz, duke shtuar se “përfshirja personale e ministrit Xhafaj ka qenë shumë e rëndësishme në ndërtimin e një marrëdhënie të qëndrueshme mes dy palëve”.
Rezultatet e fundit të Policisë, sipas tij, janë tregues i kapaciteteve në rritje të saj në luftën kundër grupeve kriminale. “Procesi i Vetting-ut që ju keni ndërmarrë është unik në rajon, duke e bërë Shqipërinë model për vendet e tjera të Ballkanit e më gjerë dhe ka ndikuar së tepërmi në ndërtimin e një marrëdhënie të mrekullueshme mes nesh”, shtoi Swartz.
“Ne do të prezantojmë progresin që ju keni bërë në takimin e radhës ShBA-BE për çështjet e drejtësisë, i cili do të mbahet në Sofje, me fokus kryesor krimin e organizuar transnacional. Kjo do të jetë një mundësi shumë e mirë për ne, për të dhënë një mesazh tjetër mbështetje për procesin e reformave që ka ndërmarrë Shqipëria dhe domosdoshmërinë e hapjes së negociatave, pasi Shqipëria e ka merituar një vlerësim të tillë”, theksoj Swartz.
Ministri Xhafaj bëri një retrospektivë të punës lidhur me reformën në drejtësi. “Kjo reformë do të ketë një impakt të madh edhe mbi pushtetet e tjera, të cilat po ashtu kanë po aq probleme sa drejtësia. Ajo do të pastrojë jo vetëm sistemin, por do t’i japë atij instrumentat e duhura për të vepruar në mënyrë proaktive”, pohoi ai.
Ministri informoi gjithashtu se “procesi i Vetting-ut po jep rezultatet e para domethënëse”. “Tashmë është momenti të fokusohemi te procesi për ngritjen e institucioneve të reja të sistemit, veçanërisht ato të drejtësisë penale, të dedikuara në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit (BKH e SPAK)”, tha ai.
Në këtë kontekst, ministri Xhafaj kërkoi që asistenca e SHBA të fokusohet në ngritjen e institucioneve të reja të drejtësisë. Ai vlerësoi punën e OPDAT duke shtuar se i gjithë investimi amerikan në këtë proces, ka rezultuar shumë i suksesshëm.
Duke shprehur vlerësimet për lidershipin e Xhafajt në procesin e reformës në drejtësi Swartz u shpreh se “ne jemi krenarë që kemi punuar me ju gjatë reformës në drejtësi dhe dëshirojmë të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë edhe në procesin e reformave të ndërmarra prej jush, në fushën e rendit dhe sigurisë”.
Nga ana e tij, ministri i informoi bashkëbiseduesit mbi prioritetet kryesore të MB, duke u ndalur veçanërisht tek operacioni “Forca e Ligjit” dhe Vetting-u në Policinë e Shtetit, dy ndër reformat kyçe të ndërmarrë nga qeveria shqiptare në fushën e rendit dhe sigurisë dhe forcimin e zbatimit të ligjit.
Për realizimin e këtyre prioriteteve, ai kërkoi mbështetjen e palës amerikane, kryesisht në rishikimin e asistencës së dhënë përmes ICITAP, e cila duhet të orientohet sipas prioriteteve tona duke u zhvendosur nga ato tradicionale, për të qenë më eficente në të ardhmen.
Gjithashtu ai kërkoi që ICITAP të mbështetet me financime shtesë për të mundësuar asistencë teknike në përmbushje të prioriteteve kyçe të përcaktuara.
Ministri Xhafaj kërkoi një prezencë dhe bashkëpunim më intensiv me FBI-në dhe DEA-n, duke riprezantuar kërkesën për një prezencë më të madhe te tyre në Shqipëri. Strukturat e reja që janë ngritur në kuadrin e operacionit “Forca e Ligjit” si dhe procesi për ngritjen e SPAK dhe BKH kanë nevojë jo vetëm për mbështetje e asistencë teknike, por edhe për motivim në përmbushjen e misionit të tyre.
Swartz u shpreh se sa i takon asistencës së FBI-së dhe DEA-s do të inkurajojë lidershipin e këtyre dy Agjensive, për të plotësuar kërkesat. Ai ndau të njëjtin mendim me ministrin, se puna e ICITAP duhet të orientohet drejt prioriteteve kyçe të MB-së, duke synuar rritjen e kapaciteteve profesionale dhe operacionale.
“Kemi gjithë vullnetin e duhur për t’i shtyrë këto çështje përpara, për të bërë të mundur realizimin e këtyre prioriteteve madhore”, përfundoi ai./m.m/

























