TIRANË, 24 Mars/ATSH/.- Niveli i ujit në Shkodër është ulur sot në mëngjes me 10 -15 cm.
Sipërfaqja e përmbytur në bashkinë Shkodër aktualisht është 4 888 ha, nga të cilat 2320 ha të mbjella me jonxhë.
Sipas një njoftimi të Ministrisë së Mbrojtjes, 600 efektivë të Forcave të Armatosura janë angazhuar në Shkodër që prej 5 marsit.
Deri më tani, 26 familje janë evakuuar, 2 mijë banorë janë lehtësuar me transportin e përditshëm, si dhe janë evakuuar e po trajtohen me bazë ushqimore 2 500 krerë bagëti.
Bashkë me banorët, Forcat e Armatosura kanë përforcuar 650 metra argjinaturë në Pentarë e Cas.
Nga Ministria e Mbrojtjes dhe Rezervat e Shtetit janë shpërndarë mbi 30 mijë kg ushqime e detergjentë, 23 mijë litra ujë e më shumë se 53 mijë kg koncentrat.
300 ton koncentrat e qindra ton ujë pritet të shpërndahen ditë pas dite. Nga Rezervat e Shtetit janë shpërndarë pako ushqimore, shtretër, çadra, batanije e çizme për banorët në vështirësi.
“I bëjmë thirrje pushtetit vendor dhe administratorëve lokalë, të lënë llafet e propagandën boshe të politikës ndarëse të ditës, dhe të marrin masat për koordinimin e shpërndarjes, në bazë të nevojave, pa dallim, për të gjithë banorët në zonat e rrethuara nga uji. FA po punojnë natë e ditë për shpërndarjen e ndihmave, sipas planifikimit të Komisionit të Emergjencave përmes Prefekturës dhe strukturave vendore. Bashkëpunimi mes forcave të ushtrisë, institucioneve të qeverisë dhe pushtetit vendor është detyrimi ynë i përbashkët, dhe vendosja e qytetarëve në qendër të përpjekjeve të përbashkëta, është nderi i çdokujt që paguhet nga taksat e tyre”, tha mbrëmë ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka./m.m/























