NJU JORK, 22 mars /ATSH-ANSA/ – Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, i cili ndodhet për një vizitë në Nju Jork, kritikoi qëndrimin e vendeve perëndimore, që refuzojnë të marrin në konsideratë argumentet e Serbisë dhe që pavarësinë e Kosovës e konsiderojnë një çështje të mbyllur.
“Nuk jam i kënaqur nga bisedimet që pata këtu. Më duket se të gjithë janë plotësisht të bindur për pavarësinë e Kosovës dhe kjo është shumë e vështirë për ne”, deklaroi Vuçiç në televizionin publik serb, RTS, pas një takimi me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres.
“Liderët perëndimorë nuk duan të diskutojnë në asnjë mënyrë se kujt i përket territori i Kosovës, pasi e konsiderojnë këtë çështje tashmë të mbyllur”, theksoi Vuçiç.
“Serbia është e gatshme të bashkëpunojë me të gjithë për një marrëveshje ku asnjë nga palët të fitojë apo të humbë gjithçka, por të bëjë lëshime”, shtoi presidenti serb./ a.jor.





















