Ballina Aktualitet

Lufta kundër korrupsionit, Bashkia e Urës Vajgurore prezanton sistemin e-Bashkia

Tiranë, 18 Mars/ATSH/- Pas një periudhe të suksesshme të aplikimit të sistemit të Integruar Informatik të Shërbimit, Bashkia e Urës Vajgurore së bashku me Shoqatën për Autonominë Vendore dhe partnerët e projektit prezantuan mënyrën sesi sistemi i shërbimeve e-Bashkia funksionon për qytetarët. Në takimin e zhvilluar në Qarkun e Beratit, Drejtoresha Ekzekutive e Shoqatës për Autonominë Vendore, Adelina Farrici, vlerësoi marrjen e hapave të tilla për ndërtimin e aplikacioneve që sjellin më shumë shërbim për qytetarët dhe largojnë korrupsionin.

“Ne jemi koshient edhe për këtë, që çdo bashki ka një plan ku realizon pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrjes e Bashkisë, paralelisht edhe transparenca e cila çon në drejtimin e eleminimit të opinionit për korrupsion, si edhe eliminimin e këtij fenomeni që ka qenë prezent”, deklaroi Farrici.

Kryetarja e Bashkisë Ura Vajgurore, Juliana Memaj, sqaroi se sistemi e-Bashkia që tashmë po jep rezultatet e para në këtë bashki, është krijuar në mënyrë të atillë që të gjithë qytetarët të marrin shërbime përmes telefonit.

“Ky projekt, ndryshe nga ata projekte që janë të realizuara në të gjithë territorin e Shqipërisë, ka një avantazh, që çdo modul aty është i integruar dhe ndërvepron me modulin tjetër. Gjithashtu, krahas këtij avantazhi, aty mund të hostohen projekte të tjera që mund të ketë secila bashki. Ky projekt e mundëson këtë me arkitekturën që ka”, tha Memaj.

Ajo ftoi të gjithë kryebashkiakët për t’iu bashkëngjitur Bashkia Ura Vajgurore që të zhvillojnë projekte konkurruese dhe që sjellin rritjen e të ardhurave. Ndërkohë ajo lançoi nisjen e projektit alternative që Bashkia e Urës Vajgurore do të zhvillojë, e cila do të jetë “Farm and Market” (Ferma dhe tregu).

“Ky projekt synon që produktin e fermerit të vogël ne ta ekspozojmë nëpër botë. Kjo është një ndihmë e madhe që kthen përgjigje të gjithëa pikëpyetjeve të tilla siç është çmimi, që fermeri është skeptik, apo problematikave që ngrejnë ato. Kjo do të ishte një mundësi që këtë bashkim ta bëjnë përmes këtij tregu online”, theksoi Memaj.

Sipas saj, të gjitha bashkitë që do të përdorin këtë sistem, për këtë ndërmarrje, do të përfitojë një komision të caktuar, të cilën e blen blerësi në llogaritë e bashkive.

Ministri i Mjedisit dhe Turizmit, Blendi Klosi, njëherësh edhe deputet i PS për Qarkun e Beratit, i pranishëm në këtë takim, vlerësoi sistemin e-bashkia si një hap shumë të guximshëm të ndërmarrë nga Bashkia Ura Vajgurore.

“Është një gjë e guximshme. Në fund të fundit është edhe produkt i decentralizimit. Pra, se si një njësi e pushtetit vendor trajton një sërë problematikash që kanë të bëjnë me komunitetin. Është fakt që Bashkia e Urës Vajgurore, të paktën për Qarkun e Beratit ku ne jemi dhe që e dimë, edhe pse ka përqindjen më të ulët të kostos në bashki për paga dhe shpenzime për stafin, prapë ka përqindjen më të madhe të mbledhjes së të ardhurave dhe kjo ka ardhur nga vendosja me guxim e këtij sistemi të parë që u shpjegua, që taksat të jenë transparente për të gjtithë dhe online”, deklaroi Klosi.

Nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, vlerësoi sistemin e prezantuar nga Bashkia Ura Vajgure, duke theksuar se kjo formë dixhitalizmi në radhë të parë do t’u vinte në ndihmë vetë bashkive tona për të bërë një koordinim sa më perfekt të drejtorive dhe që më pas do të përkthej në shërbimin që ne u japim qytetarëve. “E dyta, do të ishte në funksion të qytetarëve për dhënien e një shërbimi të saktë dhe optimal në minimumin e kohës. Do të thosha që është një hap shumë i guximshëm dhe që ndihmon punën e gjithsecilit. Nëpërmjet koordinimit Bashki – qytetar bën të mundur që të ofrohen të gjitha shërbimet”, tha Seferi./e.caushi/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMenaxhimi i mbetjeve urbane duke filluar nga çdo fshat apo bashki e vogël
Artikulli tjetërMbjellja e 100 mijë pemëve, zjarrfikësit i bashkohen nismës së bashkisë