Mbjellja e 100 mijë pemëve, zjarrfikësit i bashkohen nismës së bashkisë

TIRANË, 18 Mars /ATSH- I. Vata/ – Nismës për mbjelljen e pemëve i janë bashkuar sot në Krrabë 117 efektivët e shërbimit zjarrfikës që mbollën 117 rrënjë ulliri, duke e çuar në 650 numrin e pemëve të mbjella në këtë zonë.

Tetë muaj më parë, si pasojë e zjarreve që prekën vendin gjatë stinës së verës, në Krrabë u dogjën një sasi pemësh, që u zëvendësuan sot nga zjarrfikësit me të cilët u bashkua edhe kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Më vjen mirë që 117 zjarrfikësit e Tiranës po mbjellin 117 pemë në një zonë si Krraba, e cila u shkretua gjatë zjarreve të verës. Fakti që zjarrfikësit kthehen jo vetëm për të shuar zjarrin, por edhe për të rimbjellë aty ku zjarri bëri dëm, është besoj fabula më e bukur e këtij qyteti: Ne rrëzohemi bashkë, por edhe ngrihemi bashkë. Në Krrabë, në total kemi mbjellë rreth 650 pemë, por jemi afër rekordit të 100 mijë pemëve”, tha Veliaj.

Veliaj siguroi se aksioni për të shtuar sipërfaqet e gjelbra në kryeqytet do të vijojë edhe përtej datës 21 mars, ditë kur bashkia do të zhvillojë një aksion të gjerë për të kurorëzuar mbjelljen e 100 mijë pemëve.

“Do të vazhdojmë të mbjellim deri sa të na lejojë moti, por në datën 21 mars duam ta mbyllim me qëllimin tonë të 100 mijë pemëve. Ndaj u them të gjithë qytetarëve: nxitoni, mbillni një pemë poshtë pallatit, poshtë shtëpisë, te vendi i punës, në shkollë, në kopsht, në çerdhe, nëpër parqe, kudo ku keni mundësi për t’i dhënë më shumë oksigjen Tiranës”, tha kryebashkiaku.

Ndërsa, Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës në Tiranë, Shkëlqim Goxhaj, u shpreh se sa më shumë pemë të reja i shtohen qytetit, aq më shumë oksigjen dhe jetë të shëndetshme do të kenë banorët e saj, ndërsa siguroi se nisma të tilla do të vijojnë edhe në të ardhmen.

Aksionit për mbjelljen e pemëve të reja në njësinë administrative Krrabë iu bashkuan edhe studentë të Universitetit “Marin Barleti”, Gines R&M, KOKSH, si dhe nxënësit e shkollës “Nobel”./e.caushi/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.