Ballina Aktualitet

Policia Rrugore dhe Bashkiake zhvendosin makinat e braktisura

TIRANË, 16 Mars /ATSH/ – Policia Rrugore e Tiranës dhe ajo Bashkiake kanë nisur këto ditë zhvendosjen e 215 makinave të braktisura në kryeqytet.

Në një njoftim të Policisë së Shtetit, thuhet se “pas evidentimit të automjeteve që nisur nga gjendja e tyre dyshohet se janë të braktisura prej kohësh nga zotëruesit apo përdoruesit e tyre ose shfrytëzojnë hapësirën publike si treg shitje, si dhe pas njoftimeve të vendosura nga Policia mbi xhamat e këtyre mjeteve, Policia Rrugore në bashkëpunim me Policinë Bashkiake ka nisur fazën e spostimit të mjeteve që nuk kanë liruar hapësirën apo parkimet e zëna brenda afatit të caktuar nga njoftimet e Policisë”.

Po ashtu bëhet e ditur se “kontrolli i Policisë në lidhje me evidentimin dhe lirimin e hapësirave publike është shtrirë në të gjithë territorin e kryeqytetit duke vlerësuar edhe ankesat apo informacionet e adresuara nga qytetarët në lidhje me këtë fenomen shqetësues në zonat e banimit të tyre. Në funksion të këtij plani janë evidentuar dhe njoftuar rreth 215 mjete në zona të ndryshme të qytetit. Si dhe janë spostuar 24 automjete të ndryshme për shkelje të parashikuara në nenin 157 të ligjit nr. 8378 datë 22.07.1998, i ndryshuar, Kodi Rrugor i Republikës së Shqipërisë”.

“Policia Rrugore do vijojë punën duke ushtruar kontroll në të gjithë territorin e Tiranës, për t’ju ardhur në ndihmë banorëve që kanë adresuar shqetësime përsa i përket kompetencave të Policisë Rrugore, si dhe për të evidentuar dhe ndëshkuar çdo shkelës të rregullave të qarkullimit rrugor, me qëllimin e vetëm rritjen e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit duke postuar dhe një video nga operacioni i ditës së sotme./i.v/./a.g/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBie niveli i ujit në Shkodër, Forca e Armatosura në gatishmëri
Artikulli tjetërTurqia, një nga partnerët kryesorë ekonomik e tregtar për Shqipërinë