Ballina Lajme nga Vendi

Intensifikohet bashkëpunimi mes Komisionerit për Mbrojtjen e të Dhënave e Avokatit të Popullit

TIRANË, 12 Mars/ATSH/ – Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale si dhe Avokati i Popullit do të rrisin bashkëpunimin për garantimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut. Në kuadër të 10-vjetorit të krijimit të Zyrës për Mbrojtjen e të Dhënave Personale dy institucionet firmosën një memorandum bashkëpunimi. Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi theksoi se kjo marrëveshje mundëson koordinimin më të mirë të punës mes dy institucioneve, si një detyrë e lënë nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, me fokus të veçantë, fushën e të drejtës për informim. Gjithashtu, marrëveshja parashikon bashkëpunimin e palëve për zbatimin e projekteve të përbashkëta, si dhe shkëmbimin e eksperiencës dhe praktikave më të mira. Në mars të vitit 2008, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin nr. 9887 “Për mbrojtjen e të dhënave personale”, i cili krijoi për herë të parë një institucion të pavaruar për garantimin e të drejtës kushtetuese të mbrojtjes së të dhënave personale. Në shtator të vitit 2014, Kuvendi miratoi ligjin nr. 119/2014 “Për të drejtën e informimit”, duke zgjeruar kompetencat e këtij Autoriteti. Të pranishëm ishin edhe përfaqësues të institucioneve të rëndësishme në vendin tonë.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakUKRAINË – BE kërkon krijimin e një gjykate kundër korrupsionit
Artikulli tjetërProblematikat e biznesit, Qato nis takimet me sipërmarrjen