TIRANË, 10 Mars/ATSH/ – Kryetari i Grupit Parlamentar të PS, Taulant Balla ju përgjigj interesimit të mediave në lidhje me çështjen e financimeve ruse për Partinë Demokratike të Shqipërisë.
Balla e konsideroi rrezik për sigurinë kombëtare çështjen e financimit rus të partisë më të rëndësishme opozitare në vend dhe kërkoi që Basha të japë shpjegime para qytetarëve dhe para drejtësisë.
“Për ne, përbën një skandal të rëndë fakti që PD, kryetari i saj janë të përfshirë në një financim, jo vetëm të paligjshëm, por që dëmton rëndë sigurinë kombëtare, po të kemi parasysh dyshimet e thella dhe të rënda që kanë të bëjnë me një penetrim të financimeve ruse për bnjë parti politike në Shqipëri”, deklaroi Balla nga Elbasani.
Gjithmonë financimi i partive politike, tha ai, ka qenë një shqetësim i ngritur dhe nga BE dhe partnerët tanë, por fakti që partia më e rëndësishme në opozitë, Partia Demokratike, tashmë me fakte konkrete ka marrë financime ruse, ky është një akt tepër i rëndë.
“Sa më shpejt Lulzim Basha dhe PD duhet të japin shpjegime, jo vetëm për publikun, por edhe para drejtësisë, sepse siç e thashë, prekin sigurinë kombëtare të Shqipërisë”, deklaroi Balla.
Kryetari i Grupit Parlamentar Socialist ishte në Elbasan ku mori pjesë në zgjedhjet për kryetarin e ri të PS të Bashkisë së Elbasanit. Proces të cilin e konsideroi mjaft të rëndësishëm, që i paraprin organizimit të përgjithshëm për zgjedhjet vendore të 2019:
“Në kuadër të organizimit elektoral të PS, në procesin përgatitor që paraprin organizimin e përgjithshëm për zgjedhjet vendore të 2019, ishte edhe ky takim i Asamblesë së PS, të Elbasanit. Për ne është shumë e qartë që në zgjedhjet vendore të 2019, të vetmit aleatë që do kemi do të jenë njerëzit e thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi dhe prandaj për ne procesi i bashkëqeverisjes me njerëzit është shumë i rëndësishëm”, u shpreh Balla.
Ai shtoi se “përballë kemi një aleancë politikanësh të cilët, fakti që janë në opozitë, i bashkon vetëm arsyeja për t’ju kundërvënë Reformës në Drejtësi dhe të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë çështje.”
Xhevahir Budani u zgjodh me konsensus të plotë kryetar i PS të Bashkisë Elbasan, detyrë të cilën e mbante më parë Ardit Demiri. /a.g/























