TIRANË, 23 Shkurt /ATSH/ – Shqipëria për herë të parë feston sot Ditët e Pemëve.
Në statusin e parë për Ditët e Pemëve, ministri Klosi ka ndarë me ndjekësit e tij një surprizë nga nxënësit e Shkollës së Kuqe në Tiranë. Një videomesazh me të mirat që vijnë nga pemët, me të cilin ministri Klosi fton të gjithë që të bëhen pjesë e nismës Ditët e Pemëve, që janë në datat 23 dhe 24 shkurt.
Sipas ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi “nuk ka një fillim më të bukur se videomesazhi nga nxënësit e Shkollës së Kuqe në Tiranë”.
“Pasi të dëgjoni të mirat e pemëve që i kujtojnë këta fëmijë, do të keni 22 arsye për të mbjellë të paktën 1 fidan. Mbill një pemë për fëmijët! Mbill një pemë për të ardhmen”, shkruan në rrjetin social ministri Klosi.
Ministri gjithashtu ka postuar edhe një videomesazh tjetër këtë herë nga një vogëlushe me emrin Anaisi, e cila mbush 11 vjeç.
“Kur e pashë, në Divjakë më impresionoi me kujdesin e saj. Fidanin e fundit, që ishte harruar mënjanë, e gjeti Anaisi dhe e mbollëm bashkë!”, shkruan ministri Klosi, që e mbyll postimin e tij me urimin e veçantë “U rritsh edhe 100 vite të tjera! Ruaje në zemër dashurinë për natyrën!”
Sot në të gjithë të gjithë vendin ka nisur aksioni pë mbjelljen e fidanëve të rinj në vendet e dëmtuara të pyjeve apo dhe në ambiente publike.
Prej gati një muaji ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi apelon banorët, nxënësit, punonjësit dhe shoqërinë civile që të bëhen pjesë e programit kombëtar të mbjelljes së pemëve, duke u përfshirë në Ditët Kombëtare të Pemëve. Qeveria shqiptare synon që të mbjellë 20 milionë e 200 mijë pemë deri në vitin 2020./m.m/ /r.e/














