Emergjencat: Akset rrugore të kalueshme

147

TIRANE, 13 Shkurt/ATSH/- Reshjet e shiut dhe dëborës dhe temperaturat e ulëta që kanë përfshirë vendin përgjatë 24 orëve të fundit kanë sjellë përkeqësim të qarkullimi të mjeteve në disa akse rrugore të vendit kryesisht në verilindje.

Sipas komunikimit me specialistët e Emergjencave Civile në qarqe, situata deri në orën 13:00 paraqitet si më poshtë

Në qarkun e Shkodrës vijojnë reshje shiu të dobëta, ndërsa në lartësitë mbi 700 m bien reshje bore të dobëta. Akset rrugore nacionale dhe rurale janë të gjithë të hapur dhe qarkullohen pa probleme. Vetëm aksi rrugor për në njësinë administrative Shale (per në Theth) dhe Shosh të bashkisë Shkodër qarkullohet me vështirësi me zinxhirë. Nuk paraqiten probleme me nivelin e prurjeve në lumenj.

Edhe në qarkun e Kuksit ka reshje shiu të dobëta dhe në lartësitë mbi 800 m bien reshje bore të dobëta. Akset rrugore nacionale dhe rurale janë të gjithë të hapur dhe qarkullohen pa probleme. Vetëm aksi rrugor për në njësinë administrative Arren të bashkisë Kukës është i bllokuar nga bora prej rreth 50 cm.

Reshje shiu dhe dëbore në lartësinë mbi 900 m ka edhe në qarkun e Dibrës. Akset rrugore nacionale dhe rurale janë të gjithë të hapur dhe qarkullohen pa probleme. Në aksin rrugor Trebisht-Dogana-Maqedoni trashësia e borës ka arritur rreth 40 cm dhe qarkullimi kryhet pjesërisht në një segment rrugor prej rreth 1.5 km. Po ashtu në aksit Trebisht-Dogana, qarkullimi kryhet me një kalim pasi mbi trupin e rrugës ka rënie inertesh. Subjekti kontraktor po punon për heqjen e inerteve në rrugë dhe normalizimin e qarkullimit në të dy kahet e rrugës.

Në qarkun e Lezhës dhe Durrësit, pavarësisht reshjeve të shiut qarkullimi në akset rugore jan nuk paraqet probleme.

Ndërsa në qarkun e Tiranës në lartësinë mbi 800 m bien reshje bore të dobëta, por akset rrugore nacionale dhe rurale janë të gjitha të hapura.

Aksi rrugor Librazhd-Steblevë, segmenti Fushe Studen- Steblevë në qarkun e Elbasanit është i bllokuar nga bora e cila ka arritur nivelin prej rreth 50 cm. Subjekti kontraktor po punon për hapjen e kptij segmenti rrugor.

Në qarqet Fier, Vlorë, ka reshje shiu, por akset rrugore janë të hapura, ndërsa në qarqet Berat, Korçë dhe Gjirokastër ka reshje bore në lartësitë mbi 800 m./a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.