TIRANË, 6 janar /ATSH-I.Vata/ Kryetarja e Kuvendit, Lindia Nikolla priti sot ambasadorin e Republikës Çeke, Jaroslav Ludva, i cili largohet nga Shqipëria në përfundim të misionit të tij në Tiranë, ku shërbeu prej vitit 2017.
Kryetarja Nikolla e falenderoi ambasadorin Ludva për përmbushjen me sukses të misionit si ambasador dhe për disa kohë edhe si dekan i Trupit Diplomatik në Shqipëri, për kontributin në forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar, si edhe ndihmën e Republikës Çeke për shuarjen e zjarreve dhe kontributin për rindërtimin e zonave të prekura nga tërmeti i 26 nëntorit 2019.
“Unë vlerësoj përkrahjen dhe vendosmërinë e Republikës Çeke në në mbështetje të rrugëtimit evropian të Shqipërisë, si një “avokate” e rrugës sonë drejt BE-së, si edhe për kontributin e saj në kuadër të mbështetjes prej Grupit të Vishegradit të integrimit të Ballkanit Perëndimor”, nënvizoi Nikolla.
Nga ana e tij, ambasadori Jaroslav Ludva falenderoi Kryetaren Nikolla për vlerësimin e bashkëpunimit dypalësh dhe kontributit të tij dhe theksoi se mbështetja e Republikës Çeke për Shqipërinë do të vazhdojë dhe marrëdhëniet midis të dy vendeve do të vijnë duke u forcuar e zgjeruar.
/r.e/












