LONDËR, 31 dhjetor /ATSH-DPA/ Kompania e specializuar e mobiljeve ‘IKEA’ ka njoftuar se ka rritur çmimin mesatar të produkteve në dyqanet e saj, në Britaninë e Madhe me 10 për qind për shkak të rritjes së kostove të zinxhirit të furnizimit.
Kompania tha se është detyruar të rrisë çmimet në Britaninë e Madhe me mbi mesataren globale prej 9 përqind, për shkak të kushteve të tregut lokal, duke përfshirë rritjen e kostove të mjeteve të mallrave të rënda dhe logjistikës.
Megjithatë, sipas një analize të kryer nga ‘Daily Mail’ u zbulua se çmimi i disa krevatave, dollapeve dhe tavolinave është rritur me deri në 50 për qind.
Komodina ‘Malm’ është rritur nga 99 paund në mesin e dhjetorit në 150 paund sot – një rritje prej 52 përqind – korniza e krevatit ‘Hemnes’ është rritur nga 215 në 279 paund dhe divani me dy vende ‘Klippan’ është rritur nga 199 në 229 paund – 15 për qind më shumë.
Shqetësimi u ngrit fillimisht nga klientët në internet, të cilët vunë re një rritje të mprehtë pas Krishtlindjeve, ku disa prej tyre kanë pyetur se pse çmimet nuk kishin rënë si pjesë e shitjeve të ‘Boxing Day’.
IKEA u përgjigj në një postim në Twitter se, “fatkeqësisht, ka pasur një rritje të konsiderueshme të kostove në të gjithë zinxhirin e furnizimit, duke përfshirë lëndët e para, transportin dhe logjistikën. Duke qenë se kjo rritje është ende në vazhdim, është e nevojshme që çmimet e shumë produkteve tona të rriten.” //a.i/





















