TIRANË, 23 dhjetor /ATSH/ Banka e Shqipërisë vijon zbatimin e masave për zgjerimin e përdorimit të monedhës kombëtare në sistemin financiar dhe në ekonomi, (deeuroizimi).
Rritja e rezervës valutore, likuiditetit financiar dhe transparenca ndaj publikut lidhur me monedhën me të cilën merret kredia, janë tre nga pikat kryesore të planit strategjik të BSH-së, për deeuroizimin.
Banka Qendrore thekson se, masat kanë synuar ndërgjegjësimin e klientëve për të marrë kredi bankare në atë monedhë që kanë dhe të ardhurat e tyre. Pasi shpeshherë në të kaluarën është vënë re një tendencë për ta marrë kredinë në euro, kur të ardhurat janë të gjeneruara në lek.
Për të shmangur rrezikun e kursit të këmbimit, BSH-ja po bashkëpunon ngushtë me bankat e nivelit të dytë dhe institucionet financiare jo banka, në mënyrë që klientët të jenë të qartë.
BSH-ja vëren se, në vendin tonë ka një nivel të lartë euroizimi si në sistemin financiar ashtu dhe në ekonominë reale. Por procesi i deuroizimit synon të ketë një menaxhim sa më të mirë, por jo shmangien e monedhës euro. Pasi euro do të vazhdojë të përdoret.
Banka Qendrore thekson se, “si pasojë e planit të masave për deuroizimin shihen rezultate, veçanërisht në kahun e kredisë bankare ku është rritur kredia në monedhën vendase. Por kjo gjë nuk mund të thuhet në kahun e depozitave, pasi depozitat në euro kanë vazhduar të rriten”.
Në planin e masave bën pjesë edhe bashkëpunimi me Ministrinë e Financave për zbatimin e ligjit, që kërkon kryerjen e pagesave në lekë në tregtinë e brendshme, pasi monedha kombëtare në Shqipëri është leku dhe nuk ka nevojë të përdoret euro në shitblerjen e produkteve brenda territorit të Shqipërisë.
“Në çdo vend shitblerja në rrjetin e tregtisë me pakicë dhe shumicë bëhet në monedhën vendase, ndërsa monedhën e huaj këmbehet në zyrat e këmbimit valutor ose në bankë, pra nuk përdoret për shitblerjet”, thekson BSH-ja.












