TIRANË, 21 dhjetor /ATSH/ Mes 25 pjesëmarrësish nga e gjithë Shqipëria, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u shpallëm sot 5 fituesit e konkursit “Novelat Grafike Shqiptare”.
Me çmimi e parë u vlerësua Florian Bregu, David Kryemadhi, Ilir Topi, çmimi i dytë: Henri Dimo, çmimi i tretë: Betina Sharavolli, çmimi i katërt: Iris Boshnjaku dhe çmimi i pestë Bartolino Selamaj.
Juria e këtij konkursi ishte e përberë nga Merita Selimi, pedagoge në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve., Agron Mesi, studiues në Institutin e Antropologjisë Kulturore dhe Studimit të Artit dhe nga Helidon Haliti, pedagog në Fakultetin e Arteve të Bukura, Universiteti i Arteve.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës, Elva Margariti e cila shprehet se e bukura e këtij konkursi, që besoj ka tërhequr edhe vëmendjen e të rinjve është qasja me trashëgiminë kulturore, me baladat, legjendat shqiptare përmes një gjuhe që atyre u pëlqen. Shpesh një vizatim, një paraqitje grafike mund të thotë shumë më tepër se fjalët.
“Të shihje punët e paraqitura ishte si të udhëtoje në një botë të jashtëzakonshme fantazie, mbushur me heronj të së djeshmes, por edhe të sotmes; me legjenda kalash, por edhe problematikash të përditshmërisë. Uroj që edicioni i ardhshëm të vijë edhe më i pasur”, tha Margariti.
Ky është viti i 6-të (që prej vitit 2014) që Ministria e Kulturës realizon Konkursin “Novelat Grafike Shqiptare, në mbështetje të veprimtarive dhe si pjesë e politikave kulturore te kësaj Ministrie, me qëllim edukimin dhe formimin cilësor të brezit të ri nëpërmjet arteve, krijimtarisë aplikuese dhe konkurseve që rezultojnë ndër vite të suksesshme.
Qëllimi i këtij projekti kulturor është edukimi artistik dhe gjuhësor përmes vlerave të trashëgimisë kulturore materiale (konteksti) dhe jomateriale (shprehja), të aplikuara në gjininë e novelave grafike si dhe mbajtja gjallë e kulturës popullore.
Tematika e veprave që u paraqitën ka qenë nga letërsia, legjenda dhe përralla, tregime apo gojëdhënat, kinematografi, realitete të përditshme .
Rëndësi në këtë edicion iu kushtua teknikave të punimit, mënyrave të shprehjes së fabulës, përshkrimit të karaktereve, inkuadrimit të narracionit, përdorimit të elementeve simbolike si mjete të gjuhës apo të komunikimit.
Pjesëmarrja në edicioni VI të Konkursit Kombëtar “Novelat Grafike Shqiptare 2021”, ishte e hapur për çdokënd pa dallim moshe, gjinie, profesioni, arsimimi etj.
Ne këtë konkurs morën pjesë 25 artistë. Më shumë se gjysma e tyre merrnin pjesë për herë të parë në këtë konkurs, ndërsa pjesa tjetër kanë qenë pjesëmarrës në disa prej 5 edicioneve të kaluara.
Në veçanti kane marrë pjese nxënës të shkollave të mesme artistike në Tiranë, Elbasan, Korçë, Gjirokastër, Shkodër, Berat, Vlorë, Fier dhe Durrës, student nga Universiteti i Arteve, Fakulteti i Arteve Figurative etj, si edhe të tjerë individë të interesuar.
Shpërblimi financiar për fituesit e çmimeve të konkursit
Çmimi i parë : 80.000 lekë
Çmimi i dytë : 50.000 lekë
Çmimi i tretë : 40.000 lekë
Çmimi i katërt :30.000 lekë
Çmimi i pestë : 20.000 lekë












