Ballina Bota

FOKUS – Gjermania: Nxitje të re çarmatimit bërthamor

STOKHOLM, 14 dhjetor /ATSH-DPA/ – Ministrja e re e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock kërkoi sot arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje konkrete ndërkombëtare për reduktimin e armëve bërthamore.

“Çarmatimi bërthamor ka nevojë urgjente për një shtysë të re”, deklaroi ajo, përpara se të nisej për një konferencë për çarmatimin në kryeqytetin suedez, Stokholm.

Në qendër të përpjekjeve të saj është Konferenca e Rishikimit të Traktatit të Mospërhapjes (së armëve bërthamore – ATSH), e cila do të zhvillohet në Nju Jork në janar.

“Që armët bërthamore nuk do të përdoren më kurrë është përgjegjësi e përbashkët e të gjithë komunitetit ndërkombëtar”, theksoi Baerbock.

Megjithatë, për vite me radhë, nuk ka pasur marrëveshje për hapat e rinj të çarmatimit bërthamor dhe në të vërtetë situata është përkeqësuar.

Udhëtimi i Baerbock në Stokholm është një shans për t’u konsultuar me partnerë të tjerë të përkushtuar se si të bëhet një hap thelbësor më afër qëllimit të përbashkët për një botë pa armë bërthamore.

“Ne nuk mund të përballojmë një tjetër konferencë rishikimi pa rezultate të prekshme”, tha ajo.

SHBA është tërhequr nga disa marrëveshje çarmatimi, duke akuzuar Rusinë se nuk i respekton rregullat. Midis tyre është Traktati INF për ndalimin e armëve bërthamore me rreze të mesme me bazë tokësore.

Moska i ka hedhur poshtë akuzat dhe ka paralajmëruar se një tërheqje nga marrëveshjet mund të çonte në një garë armësh.

E vetmja marrëveshje e madhe e mbetur për kontrollin e armëve ndërmjet SHBA-së dhe Rusisë është Traktati i Çarmatimit Bërthamor Strategjik të Fillimit të Ri.

Kjo kufizon arsenalet bërthamore të të dy vendeve në 800 sisteme shpërndarjeje dhe 1 550 koka bërthamore të dislokueshme secila./ a.jor.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakBalla në Kosovë, takim vëllazëror me kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca
Artikulli tjetërKosovë, 1 humbje jete dhe 8 raste të reja me COVID-19