Ballina Aktualitet

Shqipëri-Maqedoni e Veriut, shembull bashkëpunimi në rajon

TIRANË 10 dhjetor /ATSH-I.Vata/ Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla priti sot në Kryesinë e Kuvendit kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi.

“Bashkëpunimi dhe marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut përbëjnë një shembull bashkëpunimi në rajon. Ne vlerësojmë  reformat e ndërmarra nga Maqedonia e Veriut drejt  anëtarësimit në NATO dhe integrimit në BE si edhe qasjen e re ndaj fqinjëve. Në këto arritje ka kontribuar edhe pjekuria e faktorit politik shqiptar. Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë një faktor progresi, integrimi dhe evropianizimi,” tha Nikolla.

Duke folur për rrugëtimin evropian të të dy vendeve dhe plotësimin nga ana e tyre të të gjitha rekomandimeve të Këshillit Evropian, Nikolla vuri në dukje se “historia dhe inercitë e të kaluarës nuk duhet të pengojnë të ardhmen evropiane të vendeve tona dhe të popujve tanë”.

Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, falenderoi Kryetaren Nikolla për këto vlerësime dhe vuri në dukje se Maqedonia e Veriut do të vazhdojë rrugën e progresit dhe të reformave integruese dhe shqiptarët dhe forcat politike që i përfaqësojnë ata do të vazhdojnë të kontribuojnë për zhvillimin, progresin dhe evropianizimin e Maqedonisë së Veriut.

Nikolla dhe Xhaferi diskutuan edhe mbi intensifikimin e bashkëpunimit parlamentar, midis grupeve të miqësisë dhe komisioneve parlamentare, si edhe rritjen e rolit të kuvendeve në nxitjen e bashkëpunimit midis të dy vendeve.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak​Kurti: Nuk do të lejojmë asnjë individ të jetë mbi shtetin ligjor
Artikulli tjetërCOVID-19 – Parlamenti gjerman miraton ligjin për vaksinimin e detyrueshëm të mjekëve