PRISHTINË, 27 gusht/ATSH/- Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e siguroi sot humanisten e njohur serbe Natasha Kandiq se do të angazhohet për lirinë dhe sigurinë e lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb, kudo në Kosovë.
“Edhe në ditët më të vështira, qytetarët tanë kanë ruajtur objektet fetare, monumentet historike dhe trashëgiminë ortodokse të Kosovës. Ne vazhdojmë ta njohim kontributin e zonjës Kandiq dhe i shprehim mirënjohje të thellë për aktivitetin e saj para, gjatë dhe pas luftës”, shprehet Thaçi.
Kreu i shtetit theksoi se “sot, është e paimagjinueshme dhe është e papranueshme që dikush të cënojë të drejtat apo të mos lejojë vizitën e qytetarëve serbë në objektet fetare, qoftë në Gjakovë ose kudo tjetër anembanë Kosovës”.
“Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve, pa dallim feje, kulture ose përkatësie etnike. Jemi shteti më demokratik në rajon dhe më gjerë, ku komunitetet etnike mbrohen me kushtetutë. E ardhmja euro-atlantike e Kosovës është e sigurt vetëm duke ndërtuar shtet demokratik dhe duke ruajtur karakterin multi-etnik të shoqërisë tonë”, përfundon Thaçi.
Themeluesja e Fondit për të Drejtën Humanitare, Natasha Kandiq, kërkoi nga Thaçi që t’u mundësojë serbëve të Gjakovës, që këtë vit të vizitojnë kishën. /k.s/




















