TIRANË, 23 nëntor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta shprehu sot ngushëllimet për ndarjen nga jeta të profesorit Aleks Luarasi, të cilin e cilësoi simbol të vlerave arsimdashëse dhe intelektuale të shoqërisë dhe kombit shqiptar.
“I japim sot lamtumirën e fundit njërit prej ikonave të jurisprudencës shqiptare, Profesorit të nderuar Aleks Luarasi, simbol i vlerave arsimdashëse dhe intelektuale të shoqërisë dhe kombit shqiptar”, tha Meta.
Presidenti e cilësoi Luarasin “pioner të guximshëm të modernizimit të sistemit arsimor”.
“Kontributi i tij mjaft i spikatur në fushën e mendimit bashkëkohor juridik, në jetën akademike, në institucionet qeverisëse, në forumet ndërkombëtare dhe në shumë angazhime të tjera profesionale me rëndësi madhore në proceset demokratizuese në vend do të mbetet përherë i respektuar”, tha Meta.
Presidenti shprehu bindjen se “urtësia, mençuria, vullneti dhe vizioni i Profesor Luarasit do të na mungojnë të gjithëve”.
“Ngushëllime familjes dhe botës akademike shqiptare për këtë humbje të pazëvendësueshme”, tha ai.
Profesori dhe studiuesi i shquar, Aleks Luarasi, profesor i Historisë së Shtetit dhe të së Drejtës në Shqipëri u nda dje nga jeta, në moshën 80-vjeçare.
/m.m/a.a/r.e/












