TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta reagoi sot ndaj vrasjes së 8-vjeçarit ditën e djeshme në qytetin e Fierit.
“Vrasja e të miturit ditën e djeshme në qytetin e Fierit, nga një person me precedentë penalë, është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi”, theksoi Meta.
“Krimi makabër i djeshëm, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penale”, u shpreh Meta.
“Nuk mjafton, që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse për ngjarjen dhe ta dënojnë atë”, nënvizoi Meta.
“Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t’u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i postvuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar”, theksoi Meta.
“Nuk kam fjalë për të ngushëlluar familjen e të voglit Mateo. Zoti dhe drejtësia ua lehtësoftë dhembjen”, përfundoi Presidenti Meta.
/j.p/r.e/























