Ballina Aktualitet

Bashkautorë për krimet e përsëritura janë gjykatësit e korruptuar

TIRANË 17 nëntor /ATSH-I.Vata/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se bashkautorë për krimet e përsëritura janë gjykatësit e korruptuar.

Në konferencën për mediet nga Rinasi, për ngjarjen e rëndë në Fier, Rama tha se trupat gjykuese favorizojnë burrat në raport me gratë në rastet e dhunës në familje.

“Ajo që është e përsëritur në vijimësi është dhuna në familje dhe dhuna ndaj grave. Aty legjislacioni është nga më të ashprit, por kur në gjykata rastet tregojnë se trupat gjykuese favorizojnë burrat në raport me gratë e dhunuara ky është një skandal”, tha ai.

Në lidhje me pyetjen për buxhetin 2020, Rama tha se ka trefishim të mbështetjes financiare për këto subjekte të dhunës, abuzimit e trafikimit.

Në lidhje me pyetjen se shumë persona me probleme psikike enden të lirë nëpër qytete, Rama kërkoi të matet pesha e fjalës.

“Ku janë shifrat për ta thënë këtë. Dhe ndërkohë, patjetër që nuk ka nevojë të jenë shumë, por edhe pak, janë problem dhe janë rrezik potencial. Por në rastin konkret, për të cilin flasim, siç e thashë nga shqyrtimi i bërë, kemi të bëjmë me një individ, i cili është dënuar 10 vite më parë, ka kryer dënimin dhe pastaj ka dalë dhe ka pasur përgjatë gjithë këtyre viteve punë të ndryshme, por nuk është identifikuar, apo denoncuar ndonjëherë si person nga ata me probleme. Kështu, në kushtet e një tronditje të tillë, janë legjitime të gjitha emocionet, të gjitha mendimet deri në ekstreme që i kalojnë njeriut në kokë, por adresimi i problemit kërkon qetësi dhe gjakftohtësi. Këtu, e para është drejtësia. Nuk është thjesht çështja me reagimin me vendimin më ekstrem ndaj autorit, por dhe e shpejtësisë. Pra, të veprojë duke dhënë vendimin më ekstrem të mundshëm siç do e dëshironim të gjithë por duke e dhënë me shpejtësi. Aspekti tjetër është fillimi i punës së adresimit të këtyre çështjeve në mënyrë sistematike”, tha ai.

Rama shtoi se kemi raport të zhdrejtë me personat e kapur nga policia dhe vendimet e gjykatave.

“Problemi kryesor që kemi përtej këtyre momenteve kaq ekstreme është raporti shumë i zhdrejtë midis rezultateve të operacioneve të policisë, numrit të autorë të identifikuar të ndaluar dhe çuar në prokurori nga policia për krime të natyrave të ndryshme dhe abuzime me personin, për dhunë ndaj personit, me numrin e të dënuarve nga gjykata. Bashkëautorët në të gjitha krimet e përsëritura ose në shumicën dërrmuese janë gjykatësit. Gjykatësi e korruptuar, gjykatësit e degjeneruar të cilët janë dhe arsyeja pse procesi i Vetingut dhe i pastrimit masiv të llumit është jetik dhe vazhdon”, theksoi Rama.

Kryeministri shtoi se “natyrisht se njerëzit janë në të drejtën e tyre ta kërkojnë ndryshimin e sjelljes shpejt të eficiencës së drejtësisë menjëherë dhe kur them menjëherë, kam parasysh disa vite”.

“Por kjo nuk mund të ndodhë dot objektivisht, sepse të ndërtosh një sistem drejtësie, ashtu siç ne duam të gjithë dhe siç e meritojnë qytetarë shqiptarë nuk është një çështje thjesht e aprovimit të ligjeve të duhura as një çështje e pastrimit të llumit, por është një çështje e plotësimit të të gjithë boshllëkut të krijuar me largimin e llumit me individët e duhur dhe e ngritjes së institucioneve që do të thotë e ngritjes së kësaj kolone të shtetit që faktikisht ka qenë një kalbësi e gjallë në këto 3 dekada. Dhe kjo nuk mund të ndodhi në një asnjë formë dhe mënyrë me shpejtësi. Patjetër, që 4-5 vite në jetën e njeriut janë shumë, por në jetën e një vendi janë 4-5 minuta dhe po t’i shohim sistemet e drejtësisë në vendet evropiane, ato sisteme që ne i konsiderojmë objektivin tonë ato janë ngritur me shekuj janë ngritur me dhjetëra dekada. Dhe e mira, apo më mirë të themi avantazhi ynë në këtë disavantazh të prapambetjes së thellë është që e kemi eksperiencën e të tjerëve, jemi në një proces integrimi në atë familje, kemi partnerët e duhur me të gjithë eksperiencën e duhur për të bërë këtë punë duke e përshpejtuar kohën dhe duke i kapërcyer hapësirat e gjata kohore që të tjerë i kanë kaluar vetë, sepse kanë qenë ata që e kanë çarë rrugën dhe kanë vendosur bazat e sistemit demokratik të drejtësisë. Për këtë arsye kush e konsideron Reformën në Drejtësi një dështim apo e konsideron Reformën në Drejtësi një proces të pasuksesshme nuk di çfarë flet, sepse është një proces organik, që kërkon kohën e vet dhe që ka një kosto, siç janë kostot e ngjarjeve të rënda, të lirimeve arbitrare krejtësisht të paligjshme të kriminelëve, por që është vetmja rrugë dhe që duhet durim, shtrëngim dhëmbësh dhe vullnet për ta çuar deri në fund”, tha në fund Rama.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKina masa të reja antiCovid-19 në prag të Lojërave Olimpike Dimërore
Artikulli tjetërNikolla: Autori i krimit barbar në Fier të marrë ndëshkimin maksimal