Ballina Flash

Sindikatat: Rritje e buxhetit për arsimin në 5% të PBB-së

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Sindikatat e Arsimit, kërkuan sot rritjen e buxhetit për arsimin në 5 % të PBB si dhe rritjen e pagave të mësuesve.

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik nën drejtimin e kryetarit, Agron Gjekmarkaj zhvilloi sot seancë dëgjimore me grupet e interesit, ku diskutuan dhe miratuan nen për nen dhe në tërësi projektligjin “Për Buxhetin e vitit 2022”.

Të ftuar në ketë dëgjesë ishin përfaqësues nga shoqatat e Botuesve, Shoqata e Botuesve të Librit Shkollor, sindikatat e arsimit (Federata e Sindikatave të Arsimit dhe Shkencës të Shqipërisë, Sindikata e Pavarur e Arsimtarëve, Sindikata e punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë), përfaqësues të OJF-ve të ndryshme, si dhe përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Ministria e Arsimit dhe e Sportit dhe Ministria e Kulturës.

Në fillim të seancës, fjalën e morën përfaqësues të Shoqatës së Botuesve dhe të Librit Shkollor, të cilët pasi bënë një pasqyrim të punës së tyre në këto vite dhe sidomos për librin shkollor parashtruan kërkesat dhe problemet e tyre lidhur me cilësinë e teksteve dhe konkretisht me rritjen e buxhetit për vitin 2022.

Rendi i ditës vijoi me dëgjesën e përfaqësuesve së sindikatave të arsimit, të cilët në kërkesën e tyre parashtruan rritjen e buxhetit për arsimin në 5 % të GDP si dhe rritjen e pagave të mësuesve, transportin dhe trajnimin e mësuesve, rritjen e pagave për pedagogët dhe stafin ndihmës shkencor e administrativë, rritjen e pagesës së orëve të ngarkesës suplementare, rivlerësim i orës mësimore, rishikim i tatimit prej 23 % në 15 % etj.

Në këtë dëgjesë ishin të pranishëm dhe diskutuan edhe përfaqësues të OJF-ve të ndryshme.

Pas pyetjeve dhe diskutimeve të ndryshme anëtarët e këtij komisioni votuan dhe miratuan nen për nen dhe në tërësi projektbuxhetin për vitin 2022.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNderimi mahnitës për heronjtë e Luftës së Parë Botërore
Artikulli tjetërPrerje e paligjshme e pyjeve, procedohen penalisht 8 shtetas