TIRANË, 8 nëntor /ATSH/ Fermerët dhe bizneset e agroturizmit po rrisin interesin për të investuar në ferma organike dhe rritjen e prodhimit bujqësor bio, që është mjaft i kërkuar krahas eksportit edhe nga vizitorët, turistët vendas dhe të huaj.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca solli në vëmendje shembullin e Kol Ndocit, agronom prej 44 vjetësh, në Gjadër të Lezhës, i cili merret me kultivimin e rrushit.
“Nuk e konsideron vetëm punë angazhimin me vreshtin, por dije dhe pasion që e motivon çdo ditë të bëjë më mirë”, shprehet Krifca.
Kola gjithashtu, thotë ministrja shkruan bukur dhe artikulon qartë mendimet e tij për zhvillimin në bujqësi.
“Prej vitit 1997 vreshti nuk është trajtuar me asnjë pleh kimik dhe është certifikuar si fermë organike”, bën të ditur ministrja, teksa thekson se, ai ka mbi 5 dynymë ku prodhon mesatarisht rreth 60 kv rrush në vit, sasi e cila shitet në kantinë.
Krifca tha se, ai dëshiron shumë që të fillojë të prodhojë vetë verë biologjike.
“Shqipnia asht i ven që i ka tana munsitë me ba bujqsi t’mirë, vresht dhe çdo gja”, shprehet Ndoci.
Vitet e fundit prodhimi i rrushit në vendin tonë është rritur në mënyrë të konsiderueshme nga 79 000 tonë në vitin 2020, në 230 000 tonë në vitin 2021, ku skemat e subvencionimit i kanë dhënë një shtysë rritjes së kultivimit dhe prodhimit.
Krahas zgjerimit të vreshtave është rritur ndjeshëm edhe prodhimi i verës. Sipas statistikave nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, nga 7 mijë tonë në vitin 2000, prodhimi i verës është rritur në mbi 22 mijë tonë në vitin 2020. Ndërsa fermerët po orientohen drejt fermave bio me vreshta dhe prodhimit të verës biologjike.
/a.a/r.e/





















