TIRANË 2 nëntor /ATSH-I.Vata/ Komisioni hetimor për impiantet e trajtimit të mbetjeve urbane është mbledhur sot nën drejtimin e kryetares Jorida Tabaku.
Mbledhja u hap nga kryetarja e këtij komisioni, Jorida Tabaku, e cila theksoi se në komision do të diskutohen 3 inceneratorë: ai i Elbasanit, i Fierit dhe i Tiranës, ku sipas saj ky i fundit është rasti më flagrant.
Në fjalën e saj, kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku tha se “me vendim të Kuvendit është miratuar hapja e komisionit hetimor për trajtimin e impianteve të mbetjeve urbane”.
Komisioni drejtohet nga Jorida Tabaku, anëtare e PD, si iniciuese e kësaj nisme, zv/kryetare, Ermonela Felaj nga PS dhe anëtarë Arben Pëllumbi, Eduard Shalsi, Etjen Xhafaj, Anila Denaj, Antoneta Dhima, Fadil Nasufi.
Ndërkohë nga opozita në komision do të jenë edhe Edmond Spaho, Helidon Bushati, Dhurata Çupi, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi dhe Lefter Gështenja. 4 anëtarë zëvendësues: Jurgis Çurbja, Denis Deliu nga PS dhe nga PD: Luan Baçi e Ina Zhupa.
Komisioni Hetimor është planifikuar që ta zgjasë veprimtarinë e tij 3 muaj, deri në 28 janar të 2022-shit.
Antoneta Dhima u zgjidh sekretare e Komisionit Hetimor për inceneratorët.
Duke folur për qëllimin e ngritjes së komisionit, Tabaku tha se “ngritja e këtij komisioni është bërë me kërkesë të PD”.
“Në kërkesë specifikohet se qëllimi është, kontrolli i ligjshmërisë së impianteve të mbetjeve në Tiranë, Elbasan dhe Fier. Do të jenë thelb i investigimit dhe hetimit. Do të nxjerrim përgjegjësitë institucionale dhe mbrojtjen e konkurrencës në tregun e lirë dhe garantimin e një mjedisi të pastër për qytetarët. Këto iniciativa kanë nisur që në 2014-ën, me inceneratorin në Elbasan. Shkelja më flagrante e ligjit është inceneratori i Tiranës, i çdo parimi normal i mbrojtjes së mjedisit. Kemi çuar në SPAK 3 hetime të ndryshme për të 3 inceneratorët”, tha ajo.
/j.p/r.e/






















