Ballina Ekonomi

Gazi për automjetet, ulet niveli i akcizës

TIRANË, 2 nëntor/ATSH/ Qeveria propozon unifikimin e akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarbure të tjera gazoike për të gjitha destinacionet e përdorimit të tij në nivelin 6 lekë/litër.

Aktualisht, niveli i akcizës për këtë nënprodukt është 8 lekë/litri, nëse ai përdoret si lëndë djegëse për automjetet, dhe 0 lekë/litër për sasinë që përdoret nga konsumatorët e tjerë për çdo qëllim.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj bëri të ditur sot në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave teksa po prezantonte paketën e re fiskale për vitin 2022 se “përvoja disavjeçare ka treguar se administrimi i deklarimit të destinacionit të përdorimit të këtij nënprodukti është shumë i vështirë, duke krijuar mundësi për shmangie nga pagesa e akcizës”.

Ndaj tha ajo, propozohet dhe unifikimi i akcizës për këto produkte.

Sipas Ibrahimajt, nga unifikimi i akcizës për gazet e naftës dhe hidrokarburet e tjera gazoike në nivelin 6 lekë/litër pritet që të arkëtohen rreth 375 milionë lekë akcizë në vit.

Nga sasia e importuar e kësaj lënde djegëse rezulton se rreth 2/3 (350 milionë litra) nuk ngarkohet me akcizë, që presupozon se nuk përdoret si karburant për automjetet, ndërsa rreth 1/3 (180 milionë litra) e sasisë së importuar deklarohet për përdorim automjetesh dhe ngarkohet me akcizë.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakRUMANI – Rritje rekord çmimesh, kryeson energjia elektrike
Artikulli tjetërKursi i këmbimit, forcohet leku, monedhat e huaja humbasin terren