TIRANË 1 nëntor/ATSH-I.Vata/ Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka prezantuar sot kryetaren e Komitetit shqiptar të Birësimeve, Alma Laci Sulstarova.
Në ambientet e Komitetit shqiptar të Birësimeve, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, ka prezantuar kryetaren e re të këtij komiteti, Alma Laci Sulstarova, e cila zëvendëson Denada Seferin.
Ministri në fjalën e tij ka bërë të qartë synimet e tij dhe stafit mbështetës për t’i dhënë këtij institucioni më shumë peshë, më shumë kujdes e më shumë prioritet.
“Ne përgatisim letra dhe ndjekim procedura, por pas këtyre burokracive të domosdoshme, ka jetë njerëzore, ka jetë e ndjenja fëmijësh, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm, humanë, të duruar dhe dashamirës në punën tonë”, tha Manja.
Më pas ministri ka vlerësuar punën dhe karrierën e Sulstarovës duke shprehur bindjen se nën drejtimin e saj, institucioni do të njohë ngritjen edhe më lart të standardeve dhe punës së tij.
Nga ana e saj, Sulstarova ka falënderuar ministrin për besimin e drejtimit të një institucioni kaq human dhe ka garantuar përpjekjet e saj maksimale që Komiteti Shqiptar i Birësimeve t’i kryejë sa më mirë funksionet e tij.
/j.p/r.e/






















