NJU-JORK, 26 tetor /ATSH-DPA/ – Shifrat e publikuara nga OKB-ja, në prag të konferencës për klimën COP26, në Glasgoë, tregojnë se përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të reduktuar emetimet e karbonit nuk janë aspak të mjaftueshme për të përmbushur objektivat e rënë dakord në Marrëveshjen e Parisit.
Në një raport të publikuar sot, Programi i Kombeve të Bashkuara për Mjedisin (UNEP) theksoi hendekun midis objektivave kombëtare dhe veprimeve të nevojshme për të kufizuar ngrohjen globale në 1,5 gradë.
“Premtimet për uljen e emetimeve të bëra nga shtetet individuale do të çojnë vetëm në një reduktim shtesë prej 7,5 për qind të gazrave serrë deri në vitin 2030”, sipas llogaritjeve të OKB-së.
Megjithatë, deri atëherë do të ishte e nevojshme një ulje prej 55 për qind e emetimeve për të përmbushur objektivin prej 1,5 gradë dhe 30 për qind për të kufizuar emetimet në 2 gradë.
Shifrat vijnë pasi gjithsej 120 vende përditësuan planet e tyre kombëtare të veprimit për të luftuar ndryshimin e klimës, sipas OKB-së.
Aktualisht, bota po përballet me një rritje prej 2,7 gradë të temperaturave globale deri në fund të shekullit./ /ervo/























